Qëllohet me armë në kokë kandidati presidencial në Kolumbi
Kandidati presidencial kolumbian, Miguel Uribe Turbay, ndodhet në kujdes intensiv pasi u qëllua tri herë – dy herë në kokë – gjatë një aktiviteti elektoral në kryeqytetin Bogota. Sulmi ndodhi të shtunën, teksa 39-vjeçari po fliste para mbështetësve në një park. Autoritetet konfirmuan se një i dyshuar 15-vjeçar u arrestua menjëherë në vendngjarje. Sipas prokurorisë, […]
Kandidati presidencial kolumbian, Miguel Uribe Turbay, ndodhet në kujdes intensiv pasi u qëllua tri herë – dy herë në kokë – gjatë një aktiviteti elektoral në kryeqytetin Bogota.
Sulmi ndodhi të shtunën, teksa 39-vjeçari po fliste para mbështetësve në një park.
Autoritetet konfirmuan se një i dyshuar 15-vjeçar u arrestua menjëherë në vendngjarje. Sipas prokurorisë, i dyshuari mbante me vete një armë zjarri të tipit Glock 9 mm.
Gruaja e Uribes, Maria Claudia Tarazona, bëri thirrje publike për lutje, duke thënë: “Miguel aktualisht po lufton për jetën e tij. Le t’i lutemi Zotit të udhëheqë duart e mjekëve që po e trajtojnë.”
Partia e tij, Centro Democratico, e dënoi ashpër sulmin, duke e cilësuar si një goditje ndaj “demokracisë dhe lirisë në Kolumbi”.
Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur Uribe u qëllua, çka shkaktoi panik dhe shpërndarje të menjëhershme të turmës.
Uribe u transportua me helikopter në Spitalin e Fondacionit Santa Fe, ku iu nënshtrua menjëherë një operacioni urgjent në kokë dhe në kofshën e majtë. Mjekët thanë se ai mbetet në gjendje jashtëzakonisht të rëndë.
Ndërkohë, i dyshuari i mitur, i cili u qëllua në këmbë gjatë ndjekjes nga policia, është nën mbikëqyrje dhe hetimet po vazhdojnë./BBC















