Shefi i Misionit të Posaçëm të Republikës së Kosovës në Vatikan, Vehbi Miftari, ka reaguar publikisht pas pjesëmarrjes së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në koncertin e Korit të Operës së Kosovës në Bazilikën Santa Maria in Aracoeli në Vatikan.

Në reagimin e tij, Miftari e ka pyetur Kurtin nëse Misioni i Kosovës në Vatikan është përfshirë në organizimin e vizitës, duke theksuar se sipas praktikave diplomatike dhe ligjit për Shërbimin e Jashtëm, është obligim i Misionit të ndihmojë institucionet e Kosovës gjatë vizitave institucionale në vendin pritës.

“Kryeministër! Ishit në Vatikan? Po Misioni i Kosovës në Vatikan, a ishte aty, ashtu siç e kërkon praktika diplomatike dhe sjellja shtetërore? A e kishit vënë në dijeni? Kush u mor me organizimin, nëse jo misioni juaj në shtetin e Vatikanit?” shkroi Miftari.

Nga ana tjetër, Albin Kurti ka njoftuar të dielën përmes Facebook se ka marrë pjesë në këtë event dhe ka mbajtur një fjalim gjatë koncertit të Korit të Operës së Kosovës.