E ndan pak metra nga destinacioni që e pati.
Por teksa po kthehej në vendin e punës, një punonjëse shëndetësore e Klinikës së Ortopedisë u sulmua nga qentë endacak të premten.
Plagët qenë të mëdha, andaj mori trajtim në Emergjencë.
Të njëjtin fat e pati edhe kolegu i saj, mjek në Klinikën e Pediatrisë.
Edhe ai, u sulmua të premten nga një grup qensh.
Për trajtimin dhe gjendjen e të dyve, përmes një përgjigje me shkrim detaje dha drejtori i Qendrës Emergjente, Naser Syla.
“Dy punëtorë shëndetësorë janë sulmuar nga qentë endacakë. Gjendja e tyre është stabile dhe janë lëshuar për në shtëpi”, deklaroi Syla.
Këta të dy s’janë viktimat e vetme të sulmeve të tilla që ndodhën pikërisht brenda oborrit të Qendrës Klinike e Universitare të Kosovës.
“Gjashtë persona janë sulmuar nga qentë endacak brenda dy mujave në hapësirat e QKUK-së. Katër nga ta janë staf mjekësor”.
Pikërisht për këtë problem, të enjten e kaluar nga ky institucion njoftuan se kanë themeluar një shtab emergjent.
Sipas njoftimit zyrtar, qëllimi i tyre është të sigurojë mbrojtjen e menjëhershme të pacientëve, stafit shëndetësor, vizitorëve dhe qytetarëve, përmes koordinimit ndërinstitucional dhe zbatimit të masave urgjente.
Deri më tani nuk është bërë e ditur nëse ky shtab ka nisur zbatimin e planit.
