Vendimi i Gjykatës Supreme që u bë publik një ditë më parë, ka rikthyer sulmet e kabinetit qeveritar që është në detyrë karshi gjyqësorit.

Supremja ka shfuqizuar Udhëzimin Administrativ për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronikë Fiskalë, të ministrisë së Financave, nën arsyetimin se kabineti qeveritar që është në detyrë nuk ka kompetenca për të nxjerrë akte nënligjore.

Qeveria e Kosovës, nuk u kursye në gjuhën e ashpër në reagimin mbrëmë e sulmet ndaj Gjykatës, e që la të kuptohet se as nuk e zbaton të njëjtin, duke shprehur ‘shqetësim dhe kundërshtim’ për vendimin.

“Ky arsyetim është i pabazuar në ligj dhe përbën interpretim të njëanshëm e arbitrar të dispozitave ligjore. Konkretisht, neni 31 i Ligjit për Qeverinë nuk përmban asnjë ndalesë lidhur me nxjerrjen e akteve nënligjore nga një qeveri në detyrë apo ministrat në detyrë. Vendimi i Gjykatës Supreme është i brishtë edhe në aspektin logjik dhe kushtetues, për faktin se vetë ai e njeh ekzistencën dhe funksionimin e Qeverisë në detyrë, por njëkohësisht e mohon të drejtën e saj për të ushtruar një kompetencë që nuk është e ndaluar me ligj. Kjo përbën një kontradiktë të qartë në arsyetimin e dhënë dhe cenon parimin e sigurisë juridike dhe funksionimit të vazhdueshëm të institucioneve të ekzekutivit” –Qeveria e Kosovës

Emrat e mbiemrat e gjyqtarëve që morën këtë aktgjykim nuk hezitoi t’i përmend ministri në detyrë i Financave Hekuran Murati, i cili tha se ky është vendim absurd.

“Nuk lexohet “Monopoli i arkave fiskale me kosto enorme për bizneset tatimpaguese, i vendosur në kohën kur Bedri Hamza kishte qenë Ministër i Financave, parashihej të merrte fund me Udhëzimin e Ri Administrativ, i cili hapte rrugën për arkat fiskale digjitale, siç tashmë e kanë bërë edhe shumica e shteteve në rajon. Mirëpo sot Gjykata Supreme, me gjykatës Delushe Halimi, Lumni Sallauka, dhe Franciska Zhitija-Ymeri, paska vendosur që Udhëzimi Administrativ për arka fiskale digjitale të shfuqizohet.  Ky vendim absurd i Gjykatës Supreme nënkupton ndërprerje të procesit të digjitalizimit, dhe vazhdim të zhvatjes së bizneseve përmes kostove enorme për arkat e vjetra fiskale. Si pasojë e këtij vendimi, bizneset do të vazhdojnë të kenë kosto vjetore prej mbi 5 milionë euro në vit” Hekuran Murati – Ministër në detyrë i Financave

Këto reagime Gjykata Supreme i ka quajtur tendencioze e keqinterpretim të vendimit.

“Gjykata Supreme e Kosovës shpreh keqardhje për reagimin tendencioz të Qeverisë në detyrë, ndaj aktgjykimit të saj; P.A.nr.09/2025, përmes të cilit shfuqizohet Udhëzimi Administrativ (MFPT) nr.01/2025 për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronikë Fiskalë. Reagimi i Qeverisë në detyrë, përbën, jo vetëm një keqinterpretim të natyrës së vendimmarrjes gjyqësore, por njëkohësisht një ndërhyrje të papranueshme në pavarësinë e gjyqësorit. Të gjitha institucionet, përfshirë Qeverinë, janë të obliguara ta respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një nga themelet e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Vendimet e Gjykatës Supreme janë të bazuara në Kushtetutë dhe në ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës dhe si të tilla duhet të respektohen. Gjykata Supreme si zbatuese e ligjit, edhe në rastin konkret, ka garantuar që akti nënligjor të jetë në përputhje me normat juridike që rregullojnë mënyrën dhe kohën e miratimit të tyre. Ndaj, çdo përpjekje për ta vënë në pikëpyetje autoritetin e Gjykatës dhe legjitimitetin e vendimeve të saj, përmes deklaratave politike, cenon pavarësinë e gjyqësorit dhe dëmton besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Gjykata Supreme pret në rend të parë nga institucionet shtetërore të tregojnë gatishmëri për zbatimin e vendimeve gjyqësore, si kusht i funksionimit të shtetit ligjor. Gjykata Supreme do të vazhdojë të ushtrojë funksionin e saj në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar, duke garantuar zbatimin e ligjit” – Gjykata Supreme

Të papranueshme sulmet e tilla i konsideron ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani i cili thotë se moszbatimi i tyre përbën vepër penale.

“Qasja e tillë e individëve e ministrave në detyrë apo kushdo qoftë është një lloj ndërhyrje por edhe mungesë e njohurive elementare e ndarjes së pushteteve dhe çdo moszbatim i vendimeve të Gjykatës Supreme ligjërisht tërheq edhe përgjegjësi penale kështu ata mund të flasin edhe me këtë tregojnë se kanë pak njohuri elementare të sistemit të drejtësisë” Fejzullah Hasani – Ish kryetar i Gjykatës Supreme.

Vendimi i Gjykatës Supreme me të cilin shfuqizoi udhëzimin administartiv për shkak se ishte i kundërligjshëm e kundërkushtetues, nuk mund të ankimohet.

Por, megjithëkëtë, pa shpjeguar çka Qeveria ka paralajmëruar, siç kanë thënë ‘shfrytëzimin e mjeteve juridike në dispozicion për të kthyer ligjshmërinë dhe standardet demokratike’.