Zëvendësministrja e drejtësisë, Nita Shala, në një konferencë për media ka bërë të ditur se Qeveria Kosovës, do ta krijoj një komision profesional, për trajtimin e dhunës seksuale.

Hulumtimet e këtij komisionit, sipas Shalës, do të kenë synim t’i gjejnë shkaqet që dërgojnë në kryerjen e veprimeve të tilla kriminale.

“Qeveria do të krijoj një komision profesional për t’i trajtuar këto raste. Komisioni do të bëjë një hulumtim kriminologjik për të mësuar shkaqet që qojnë në kryerjen e veprimeve të tilla, që monitorojnë zhvillimin e procedurës në këto raste dhe epilogun e këtyre rasteve për një periudhë 5 vjeçare”, ka deklaruar ajo.

Kjo konferencë vjen si pasojë e përdhunimit të një vajze të mitur 11 vjeçare të shtunën në Prishtinë.

Këtë vepër dyshohet se e kanë kryer pesë persona, një nga ta është i mitur kurse katër të tjerë janë të moshës madhore.

Po ashtu, katër të dyshuarit janë arrestuar kurse njëri prej tyre edhe pse është identifikuar nga policia ende nuk është kapur.