Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e saj të fundit, ka marrë vendim që zyrtarëve policorë t’u dalin shtesat.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se tashmë shtesat janë kategorizuar.

Shtesat për njësitë elitare (Njësia Speciale Intervenuese, Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësia për Mbrojtje të Afërt), janë nga 150 euro shtesë pagës bazë.

120 euro shtesë për Njësinë Speciale Operative K9 dhe Njësia për Eksploziv dhe deminim. Pjesëtarët e patrullave kufitare  do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtaret e hetuesisë nga 75 euro në muaj. Ekipet reaguese dhe patrullat do të marrin nga 60 euro shtesë në muaj. Policët që angazhohen në sigurimin e objekteve dhe menaxhimin e operacioneve do iu ndahen 50 respektivisht 45 euro.

Kurti tha se ky vendim vjen edhe si pasojë e situatës së tensionuar në veri të Kosovës. Në të kaluarën, sipas Kurtit, ka pasur pabarazi në mesin e zyrtarëve sa i përket shtesave.

“Kjo zgjidhje merr parasysh situatën e tenisonuar në veri të Kosovës. Në të kaluarën shtesat jo gjithmonë reflektonin barazi në mesin e policëve. Ky propozim i yni për kategorizim është bërë të mos përsëriten gabimet”, tha ai.

Shtesat për rrezikshmëri, sipas Kurtit, do të fillojnë së aplikuari me pagat e muajit nëntor, kurse për muajt e deritanishëm nga hyrja në fuqi e ligjit të ri për paga, shtesat do të ndahen në mënyrë retroaktive.