Qeveria e Serbisë ndan buxhet për organizatën e lidhur me krime lufte dhe vrasje politike

Qeveria e Serbisë po financon me para nga buxheti i shtetit Shoqatën e Veteranëve të “Beretave të Kuqe”, organizatë që mbledh ish-pjesëtarë të njësisë së shpërbërë speciale të Sigurimit të Shtetit, pjesëtarët e së cilës morën pjesë në krime lufte dhe u dënuan për likuidime të kundërshtarëve politikë.

Sipas analizës së Radios Evropa e Lirë (REL), vetëm përmes konkurseve të Ministrisë së Punës, Punësimit, Çështjeve të Veteranëve dhe Sociale, gjatë dy viteve të fundit kësaj shoqate i janë ndarë 23 mijë euro.

Shoqata e Veteranëve të Beretave të Kuqe ka marrë fonde në të gjitha konkurset nga fusha e mbrojtjes së veteranëve, të realizuara nga Ministria e Punës që nga momenti kur në krye të saj u vendos Milica Gjurgjeviq Stamenkovski.

Gjurgjeviq Stamenkovski është kryetare e partisë së ekstremit të djathtë “Zavetnici” dhe u bë pjesë e pushtetit në vitin 2024, megjithëse partia e saj nuk e kishte kaluar pragun zgjedhor në zgjedhjet e atëhershme.

Nga Ministria e Punës nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it se për çfarë konkretisht janë shpenzuar fondet e ndara dhe cili është interesi publik që projektet e Shoqatës së Veteranëve të Beretave të Kuqe të financohen me para të buxhetit.

Përgjigje nuk dha as Shoqata e Veteranëve të Beretave të Kuqe.

“Kur merrni një njësi të tillë dhe përsëri i bëni heronj, ndërkohë që dihet ‘rruga e tyre luftarake’, njeriu duhet të pyesë veten se çfarë vlerash po propagandon kjo pushtet”, tha për REL Filip Shvarm, kryeredaktor i javores “Vreme” dhe autor i një dokumentari për “Njësinë për Operacione Speciale”.

Çfarë financon Ministria?

Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrat Ekonomikë, Shoqata e Veteranëve të Beretave të Kuqe është themeluar në vitin 2019.

Të dhënat publike mbi veprimtarinë financiare tregojnë se të ardhurat e para shoqata i kishte në vitin 2021, kur raportoi të ardhura totale prej 4.800 eurosh. Më së shumti para shoqata ka mbledhur gjatë vitit 2024 – gjithsej 29 mijë euro.

Të dhënat për donacionet e mbledhura gjatë vitit 2025 ende nuk janë publikuar.

Nga Ministria e Punës, Punësimit, Çështjeve të Veteranëve dhe Sociale, në vitet 2024 dhe 2025 kanë marrë nga 11.500 euro për secilin vit – gjithsej 23 mijë euro, tregojnë raportet e Ministrisë.

Të dhënat publike nuk tregojnë se nga kanë ardhur të ardhurat e tjera.

Ministrja Milica Gjurgjeviq Stamenkovski ka miratuar financimin e Shoqatës së Veteranëve të Beretave të Kuqe për organizimin e “Shumëgarëshit të Veteranëve”, si dhe realizimin e projekteve “Pozita e luftëtarëve në shoqëri sot” dhe “Betimi i lirisë”.

“Shumëgarëshi i Veteranëve” është një garë sportive për veteranë që organizohet një herë në vit dhe që, krahas donacioneve të Ministrisë së Punës, vitet e fundit është mbështetur edhe me mjete nga Qeveria e Vojvodinës.

REL i është drejtuar edhe Qeverisë së Krahinës Autonome të Vojvodinës lidhur me ndarjen e fondeve për këtë shoqatë, por deri në publikimin e tekstit nuk kishte marrë përgjigje.

Sipas të dhënave në internet, Shoqata e Veteranëve të Beretave të Kuqe ka organizuar “Shumëgarëshin e Veteranëve” gjatë katër viteve të fundit.

Me atë rast, shoqata i ndau një pllakë mirënjohjeje Dushan Bajatoviqit, funksionar i Partisë Socialiste të Serbisë dhe drejtor afatgjatë i ndërmarrjes shtetërore “Srbijagas”.

Në tubimin e vitit 2025, siç shihet nga fotografitë e publikuara, ishte vendosur edhe pankarta “Drina është lumë, jo kufi”, duke aluduar në kufirin natyror ndërmjet Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Për projektet “Betimi i lirisë” dhe “Pozita e luftëtarëve në shoqëri sot”, të cilat janë financuar me 10 mijë euro nga buxheti, nuk ka informacione publike se çfarë përmbajnë, nëse dhe kur janë realizuar.

Raportet mbi realizimin e këtyre projekteve nuk janë publikuar as në dokumentacionin konkursues të Ministrisë përkatëse.

Në fund të vitit 2022, shoqata ngriti një monument për ish-pjesëtarin e Beretave të Kuqe, Nikola Simiq, në lagjen Busije të Beogradit.

Kush është drejtuesi i shoqatës?

Përfaqësues ligjor i Shoqatës së Beretave të Kuqe është Zhivorad Zhika Ivanoviq, ish-pjesëtar i Njësisë për Operacione Speciale, i cili – siç shihet në një video nga maji i vitit 1997 – i raportonte presidentit të atëhershëm të RFJ-së, Slobodan Milošević, gjatë ceremonisë së themelimit të Njësisë në Kulla, në veriperëndim të Serbisë.

Megjithëse emri i tij është përmendur në gjyqin kundër ish-shefave të Sigurimit të Shtetit të Serbisë, Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq, ndaj Ivanoviqit nuk është zhvilluar asnjë proces gjyqësor, as në gjykatat ndërkombëtare dhe as në ato vendore.

Veteranët në mbrojtje të pushtetit

Së fundi, Ivanoviqi ishte në fokus të opinionit në mars të vitit 2025, kur udhëhoqi veteranët e JSO-së në kampin me tenda në Parkun Pionirski, ku prej më shumë se një viti qëndrojnë mbështetës të Partisë Progresive Serbe në pushtet, mes tyre edhe individë me dosje kriminale.

“Veçanërisht perverse është fakti që ata u shfaqën aty vetëm pak ditë para përvjetorit të vrasjes së kryeministrit Zoran Đinđić”, tha Shvarm.

Përveç Zhika Ivanoviqit, veteranët në Parkun Pionirski i udhëhiqte edhe ish-komandanti i Xhandarmërisë serbe, Goran Radosavljeviq Guri, të cilin Shtetet e Bashkuara e lidhin me vrasjen e vëllezërve Bytyqi pas luftës në Kosovë më 1999.

Nga partia në pushtet atëherë deklaruan se nuk shohin problem në praninë e tyre në tubimin mbështetës për presidentin Aleksandar Vuçiq dhe pushtetin aktual.

Ndërkohë, veteranët e JSO-së së shpërbërë janë bërë pjesëmarrës të rregullt në manifestimet që organizon partia në pushtet – nga përkujtimet e ngjarjeve historike deri te ceremonitë me rastin e ditëve të komunave të Beogradit.

Në dhjetor 2025 ata ishin mysafirë të Ministrisë së Punës dhe, sipas profilit të tyre në Instagram, morën pjesë në një takim pune me temë “përmirësimi i mëtejshëm i pozitës së luftëtarëve”. Me ta u fotografua edhe ministrja Milica Gjurgjeviq Stamenkovski.

Gjurgjeviq Stamenkovski, si kryetare e partisë ultranacionaliste “Zavetnici”, deri në vitin 2024 ishte në opozitë. Kur në maj 2024 u formua Qeveria, ajo mori postin e ministres për Kujdesin ndaj Familjes. Në qeverinë aktuale kaloi në krye të Ministrisë së Punës.

Në shkurt 2024, ministri i atëhershëm i Mbrojtjes dhe kryetar i Partisë Progresive Serbe, Miloš Vuçeviq, vizitoi stendën e Shoqatës së Veteranëve të Beretave të Kuqe në Panairin e Novi Sadit.

Shoqata atëherë mori pjesë në manifestimin “Panairi i Vendlindjes”, organizuar nga Fondi për Refugjatë, Persona të Zhvendosur dhe Bashkëpunim me Serbët në Rajon, me mbështetjen e Qeverisë së Vojvodinës.

Festimi i 35-vjetorit të njësisë

Me rastin e 35-vjetorit të themelimit, një pjesë e veteranëve të Njësisë për Operacione Speciale organizuan më 4 maj 2026 një festim ku, në emër të ish-anëtarëve të kësaj njësie, Vasilije Mijoviq falënderoi presidentin Aleksandar Vuçiq, duke deklaruar se me ardhjen e tij në pushtet njësisë i është kthyer lavdia.

“Gjithmonë llogaritni në ne, që ta udhëhiqni edhe gjatë atdheun tonë; Serbia prej kohësh nuk ka pasur një udhëheqës të tillë, vizionar”, tha Mijoviq, duke shtuar se “kolegji ka marrë vendim që presidentit t’i ndahet pseudonimi ‘Aleksandri i Madh’”.

“Në këtë moment mendoj se kjo është e orientuar drejt pjesës më të fortë nacionaliste të elektoratit të naprednjakëve”, tha Filip Shvarm.

Fotografitë e publikuara në profilin Instagram të Shoqatës së Veteranëve të Beretave të Kuqe tregojnë se Mijoviq, në disa ngjarje të fillimit të këtij viti, ishte pjesë e delegacionit të kësaj shoqate.

Vasilije Mijoviq është ish-funksionar i policisë sekrete malazeze. Si pjesëtar i formacioneve paramilitare që vepronin në Bosnje dhe Kroaci, ai mori pjesë në luftërat në hapësirën e ish-Jugosllavisë.

Për rolin e tij në konfliktet e viteve ’90 është folur edhe në Tribunalin për Krime Lufte në Hagë, ku dëshmitarët e kanë përmendur si pjesëmarrës në trajtime çnjerëzore ndaj popullsisë dhe aktivitete kriminale si kontrabanda me vetura të vjedhura.

Mijoviqi nuk është gjykuar për rolin e tij në luftë as nga gjykatat vendore e as nga ato ndërkombëtare.

Në vitin 1996, ai u dënua nga gjykata në Novi Sad me tre vjet burg, pasi një vit më herët kishte shkaktuar një aksident trafiku ku humbën jetën dy fëmijë. Gjykata ia shtyu për vite me radhë ekzekutimin e dënimit, të cilin e vuajti vetëm pas më shumë se një dekade.

Nga viti 1998 deri më 2006, Mijoviq punoi si këshilltar special i ndihmësministrit në Sigurimin Shtetëror të Malit të Zi.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme e Malit të Zi u largua në vitin 2006 për shkak të falsifikimit të diplomës së Fakultetit Juridik.

Po atë vit, para referendumit për pavarësinë e Malit të Zi, ai u dënua me 10 muaj burg nga Gjykata Themelore në Podgoricë për shkelje të lirisë së përcaktimit gjatë votimit dhe përhapje paniku.

Shija e redaktorit

Manga Month – në Librarinë Dukagjini

Gjatë muajit maj, Libraria Dukagjini po shndërrohet në një pikë takimi për dashamirësit e kulturës japoneze përmes iniciativës “Manga Month”, e realizuar në bashkëpunim...

Reporterët pa Kufij: Kosova shënon përparim në lirinë e medias

Kosova ka shënuar përparim në lirinë e medias, sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij, duke u renditur në vendin...

Akademia “Dukagjini” përmbyllë nismën “Praktika të suksesshme në mësimdhënie dhe...

“Praktika të suksesshme në Mësimdhënie dhe Nxënie”, është nisma e cila nisi pesë muaj më parë e që sot po shndërrohet në një manifestim...

Të fundit nga rubrika