Qeveria e Serbisë shpall ditë zie për terroristët e vrarë nga Policia e Kosovës
Qeveria e Serbisë nuk u distancua nga grupi terrorist, por me anë të një seance të jashtëzakonshme e shpalli 27 shtatorin 2023, ditë zie, lidhur me ngjarjet e fundit në Kosovë, ku gjatë një sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës mbetën të vrarë disa nga terroristët serbë. Më tej, qeveria serbe ka kërkuar nga mediat […]
Qeveria e Serbisë nuk u distancua nga grupi terrorist, por me anë të një seance të jashtëzakonshme e shpalli 27 shtatorin 2023, ditë zie, lidhur me ngjarjet e fundit në Kosovë, ku gjatë një sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës mbetën të vrarë disa nga terroristët serbë.
Më tej, qeveria serbe ka kërkuar nga mediat serbe që programet e tyre t’ia kushtojnë ditës së zisë.
“Qeveria e Serbisë kërkon nga të gjitha mediat dhe organizatorët e ngjarjeve publike që programin e tyre ta përshtatin ditën e zisë të mërkurën, më 27 shtator, dhe në këtë mënyrë t’i respektojmë viktimat në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Qeveria e Serbisë.
Ndërsa, edhe Lista Serbe ka shpallur tri ditë zie në Kosovë.
Në një njoftim zyrtar, Lista Serbe ka shpallur ditët 26, 27 dhe 28 shtator si “Ditë Zie” për vdekjen e tre terroristëve serbë, të cilët u vranë në Banjskë pasi sulmuan Policinë e Kosovës.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Lista Serbe e ka quajtur ngjarjen tragjike.
Sipas njoftimit të tyre, në shenjë respekti dhe ngushëllimi për serbët e vrarë dhe familjet e tyre, në veri të gjitha “ngjarjet argëtuese të organizuara nga organet dhe institucionet e vetëqeverisjes lokale do të anulohen”.
“Në emër të Listës Serbe dhe popullit serb nga Kosova.M, u shprehim ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave, ndërsa të lënduarve u urojmë shërim të shpejtë”, ka thënë Lista Serbe.















