Qeveria gjermane për marrëveshjen Kosovë-Serbi: T’i përmbaheni asaj që është rënë dakord

Zëdhënësi i Qeverisë së Gjermanisë, Steffen Hebstreit, ka thënë se tani duhet të zbatohet marrëveshja që është rënë dakord mes dy palëve

Qeveria e Gjermanisë ka uruar Kosovën dhe Serbinë për pajtimin në Ohër lidhur me aneksin e implementimit të Marrëveshjes bazë të normalizimit të marrëdhënieve.

Zëdhënësi i Qeverisë së Gjermanisë, Steffen Hebstreit, ka thënë se tani duhet të zbatohet marrëveshja që është rënë dakord mes dy palëve.

Sipas tij, kjo ndihmon në vendosjen e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë në rrugën e duhur.

“Ju përgëzoj për këtë përparim për të vendosur marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës në një rrugë të re. Tash gjithçka ka të bëjë me marrjen e drejtimit për të ruajtur dhe ndjekur atë që është dakorduar. Ne do të jemi me ju që të përmbushni perspektivën tuaj evropiane”, ka shkruar në Twitter zëdhënësi i Qeverisë së Gjermanisë.

Në anën tjetër, kjo marrëveshje është vlerësuar edhe nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

“Vërtetë, pa vonesa, tash duhet progres i shpejtë në të gjitha çështjet e dakorduara”, ka shkruar Rohde në Tëitter.

Më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht. Në fakt, kryeministri Albin Kurti ka qenë i gatshëm të nënshkruaj, por presidenti serb ka refuzuar.

Ndryshe, Bashkimi Evropian e ka quajtur si shumë të suksesshëm takimin e 18 marsit në Ohër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut të nivelit të lartë mes dy vendeve.

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borell, ka thënë më 18 mars se edhe pse palët kanë vendosur të mos e nënshkruajnë zyrtarisht marrëveshjen, ato janë pajtuar që të fillojnë zbatimin e saj sa më shpejt që të jetë e mundur.

Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Shija e redaktorit

“Dukagjini” dhe “Pearson” organizojnë konferencë për mësimdhënësit e anglishtes

Shtëpia Botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me Pearson, organizoi sot në Prishtinë konferencën “Together We Rise”, një nga ngjarjet më të rëndësishme profesionale për mësimdhënësit...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Të fundit nga rubrika