Qeveria e Kosovës ka mbajtur një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin lidhur me kërkesën e Kuvendit për nismën legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Sipas njoftimit të Qeverisë, vendimi i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të datës 23 shtator 2026, për Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, njofton Dukagjini.
Në kuadër të përgjigjes, Qeveria ka miratuar vlerësimin që përfshin opinionin ligjor për përputhshmërinë e projektligjit me acquis të Bashkimit Evropian, vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor lidhur me përmbajtjen e projektligjit.
Burime të afërta me zhvillimet i kanë thënë TV Dukagjinit se qëndrimi i Qeverisë ndaj nismës ligjore për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit është pozitiv.
Sipas këtyre burimeve, ky qëndrim i hap rrugë Kuvendit për të ndërmarrë veprimet e mëtejshme.
