Zyra e Kryeministrit, përkatësisht Zyra e Zëvendëskryeministrit për Çështjet e Komuniteteve dhe Bashkëpunim, ka mbajtur takim me Zyrat Komunale për Komunitete dhe Kthim, ku është diskutuar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve, sfidat me të cilat përballen qytetarët në nivel lokal, si dhe nevojën për koordinim më të madh ndërmjet institucioneve qendrore dhe lokale.
Në takim ka folur kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili ka theksuar se Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të saj dhe se të drejtat e komuniteteve duhet të garantohen jo vetëm në aspektin ligjor, por edhe të zbatohen në praktikë.
“Republika e Kosovës është shtet i të gjithë qytetarëve të saj. Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të komuniteteve nuk duhet të kuptohet vetëm përmes zbatimit të kornizës ekzistuese ligjore dhe institucionale, por edhe përmes përfitimeve që i kanë të gjithë qytetarët barabartë. Pikërisht këtu qëndron një nga çështjet më të rëndësishme që është evidentuar edhe gjatë diskutimeve me komunitetet. Në shumë raste, sfida nuk lidhet me mungesën e të drejtave të garantuara, por me zbatimin e tyre në nivel praktik dhe lokal dhe rrjedhimisht me dobinë që duhet ta kenë qytetarët”, ka thënë Kurti.
Ai ka vlerësuar se Zyrat Komunale për Komunitete dhe Kthim kanë rol të rëndësishëm institucional, pasi ato janë pjesë përbërëse e administratës komunale dhe kanë mandat në identifikimin, promovimin, mbështetjen, zbatimin dhe mbikëqyrjen e politikave që lidhen me të drejtat e komuniteteve.
“Ato kanë gjithashtu rol në lehtësimin e qasjes së barabartë në shërbimet publike dhe në identifikimin e nevojave në nivel lokal. Andaj, roli i tyre nuk duhet të kufizohet vetëm në përcjelljen e informatave, por në zbatimin e aktiviteteve të veçanta. Zyrat duhet të kenë një rol aktiv në mbajtjen e kontakteve të rregullta me komunitetet, në identifikimin e problemeve, adresimin e tyre tek institucionet përgjegjëse, përcjelljen e trajtimit të rasteve dhe raportimin e rregullt për zhvillimet në nivelin lokal. Kjo posaçërisht është e rëndësishme sepse një pjesë e madhe e çështjeve që lidhen me komunitetet shfaqet pikërisht në nivelin lokal. Arsimi, punësimi, qasja në shërbimet publike, të drejtat gjuhësore, shëndetësia, mbrojtja sociale, banimi, infrastruktura dhe pjesëmarrja në vendimmarrje janë fusha ku nevojitet koordinim i vazhdueshëm ndërmjet institucioneve dhe komuniteteve”, ka deklaruar Kurti.
Kryeministri në detyrë ka theksuar se sfidat ndryshojnë nga një komunitet te tjetri dhe nga një komunë te tjetra, prandaj institucionet duhet të kenë qasje të përshtatura sipas nevojave specifike në terren.
“Natyra dhe intensiteti i këtyre sfidave ndryshojnë nga një komunitet tek tjetri dhe nga një komunë tek tjetra. Për këtë arsye nuk mund të ketë një qasje të njëjtë për të gjitha komunitetet dhe për të gjitha komunat. Nevojiten masa të përgjithshme për problemet që përsëriten në disa komunitete, por njëkohësisht nevojiten edhe ndërhyrje të përshtatura sipas nevojave gjuhësore, socio-ekonomike, gjeografike dhe kulturore të komuniteteve. Kjo kërkon që institucionet të kenë informata më të sakta për nevojat në terren dhe të krijojnë mekanizma më të mirë për përcjelljen e zbatimit të politikave dhe të shërbimeve”, ka thënë Kurti.
Ai ka folur edhe për rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional, duke theksuar se çështjet që identifikohen në nivel lokal shpesh kërkojnë angazhimin e disa institucioneve.
“Një nga sfidat që duhet ta adresojmë është koordinimi ndërinstitucional. Çështjet që identifikohen në nivel lokal shpesh kërkojnë angazhimin e më shumë se një institucioni. Për këtë arsye është e rëndësishme që informacioni të mos ndalet në një nivel institucional, por të ekzistojë një rrjedhë e vazhdueshme ndërmjet komunave, institucioneve qendrore dhe mekanizmave të tjerë përgjegjës. Zyrat mund dhe duhet të kenë një rol të rëndësishëm në këtë proces nga identifikimi i problemit te adresimi i tij, përcjellja e trajtimit dhe raportimi për rezultatet. Na nevojiten të drejtat e normuara që tashmë i kemi me kushtetutshmëri dhe ligj, na nevojitet zbatimi i tyre, por na nevojitet edhe raportimi mbi dobinë nga ky zbatim që kanë qytetarët në shërbim të të cilëve jemi të gjithë bashkë. Që kjo të funksionojë, nevojiten përgjegjësi të qarta, koordinim i rregullt, persona kontaktues dhe mekanizma të përshtatshëm për mbledhjen dhe administrimin e të dhënave. Monitorimi duhet të na ndihmojë të kuptojmë jo vetëm se çfarë aktivitetesh janë realizuar, por edhe nëse qytetarët dhe komunitetet kanë përfituar realisht nga politikat dhe shërbimet publike”, ka përfunduar Kurti.
Në takim ka folur edhe zëvendëskryeministri për Çështjet e Komuniteteve dhe Bashkëpunim, Fikrim Damka, i cili ka thënë se një prej prioriteteve të zyrës që nga fillimi i këtij viti ka qenë dëgjimi i drejtpërdrejtë i komuniteteve jo-shumicë dhe adresimi i nevojave të tyre.
“Të nderuar të pranishëm, një nga prioritetet tona që nga fillimi i punës të këtij viti është që çështjet me të cilat përballen komunitetet jo-shumicë t’i dëgjojmë drejtpërdrejt nga përfaqësuesit e tyre. Për këtë qëllim, gjatë muajit mars kemi zhvilluar një proces gjashtëditor me përfaqësues të komuniteteve të ndryshme. Dëgjuam shqetësimet, nevojat, kritikat dhe përvojat e tyre. Një nga përfundimet kryesore është i qartë: Republika e Kosovës ka një kornizë të fuqishme kushtetuese dhe ligjore për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve. Detyra jonë është që zbatimin e kësaj kornize ta fuqizojmë vazhdimisht, në mënyrë që të drejtat e garantuara të kenë ndikim konkret në jetën e përditshme të qytetarëve. Sepse është e rëndësishme që të drejtat të jenë të garantuara me kushtetutë dhe me ligj, por suksesi i vërtetë është kur qytetari mund ta realizojë atë të drejtë aty ku jeton dhe atëherë kur i nevojitet”, ka thënë Damka.
Ai ka theksuar rëndësinë e Zyrave për Komunitete në adresimin e problemeve dhe në sigurimin që të drejtat e qytetarëve të zbatohen në praktikë.
“Këtu, Zyra për Komunitete ka një rol të rëndësishëm. Ju jeni në kontakt të drejtpërdrejtë me komunitetet, i njihni nga afër nevojat lokale, vështirësitë e qytetarëve, por edhe fushat ku është arritur përparim. Prandaj, zyrat për komunitete nuk duhet të jenë vetëm vend ku evidencohen problemet; ato duhet të jenë mekanizma funksionalë lokalë ku problemet identifikohen, adresohen tek institucionet përgjegjëse, përmes të cilave merret trajtimi i tyre. Duhet të nënvizojmë një parim që e konsideroj veçanërisht të rëndësishëm: realizimi i të drejtave dhe qasjes në shërbime publike nuk duhet të varet nga komuna në të cilën jeton qytetari — qoftë në Prizren, Mamushë, Shtërpcë, Graçanicë apo në cilëndo komunë tjetër të vendit tonë. Qytetarët duhet të kenë të njëjtën siguri dhe realizim të të drejtave dhe qasjes në shërbimet që u garanton shteti”, ka deklaruar Damka.
Sipas tij, nevojitet zvogëlimi i dallimeve në kapacitetet e komunave, ndarja e praktikave të mira dhe fuqizimi i koordinimit ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal.
“Për këtë, duhet të zvogëlojmë dallimet në kapacitete ndërmjet komunave, të ndajmë praktikat e mira dhe të bëjmë punën e zyrave të komuniteteve më funksionale dhe të orientuar drejt rezultateve. Por kjo nuk është përgjegjësi vetëm e komunave. Duhet të fuqizojmë koordinimin dhe rrjedhën e informacionit ndërmjet institucioneve qendrore dhe lokale. Problemet dhe nevojat që identifikohen në terren duhet të arrijnë tek institucionet përgjegjëse, dhe në të njëjtën kohë, politikat, programet dhe mundësitë që zhvillohen në nivelin qendror duhet të arrijnë tek qytetarët në nivelin lokal. Pra, na nevojitet një mekanizëm që funksionon në të dyja drejtimet: nevojat dhe problemet e komuniteteve të përcillen nga niveli lokal tek institucionet qendrore, ndërsa politikat, shërbimet dhe mundësitë që ofron Qeveria të arrijnë nga niveli qendror tek komunitetet”, ka thënë Damka.
Damka ka theksuar se Zyrat për Komunitete janë një prej hallkave kryesore të këtij komunikimi, duke kërkuar që ato të shërbejnë jo vetëm për evidentimin e problemeve, por edhe për identifikimin e praktikave që kanë dhënë rezultate.
“Zyrat për komunitete janë një nga hallkat kryesore të këtij komunikimi. Prandaj, sot nuk duam të dëgjojmë vetëm për problemet. Duam të dëgjojmë edhe cilat praktika kanë dhënë rezultate, ku ndeshen pengesat dhe ku duhet të fuqizohet bashkëpunimi me institucionet qendrore. Sepse zgjidhjet më të qëndrueshme ndërtohen duke bashkuar përvojën nga terreni me kapacitetin institucional. Qasja jonë është e qartë: komunitetet tona nuk shihen vetëm si përfituese të politikave, por si partnerë aktivë në identifikimin e zgjidhjeve dhe në zhvillimin e politikave publike. Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të komuniteteve është përgjegjësi e përbashkët e institucioneve qendrore dhe lokale”, ka deklaruar ai./EO