Qeveria kritikon vendimin e Supremes: Vendim i pabazuar, me interpretim arbitrar dhe politik
Qeveria e Kosovës ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Supreme për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ, i cili kishte të bënte me shfrytëzimin e pajisjeve fiskale elektronike dhe softuerëve digjitalë. Vendimi i Supremes e kishte shpallur këtë udhëzim të paligjshëm, me arsyetimin se ishte nxjerrë nga një qeveri dhe një ministër në detyrë, të cilëve, sipas […]
Qeveria e Kosovës ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Supreme për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ, i cili kishte të bënte me shfrytëzimin e pajisjeve fiskale elektronike dhe softuerëve digjitalë.
Vendimi i Supremes e kishte shpallur këtë udhëzim të paligjshëm, me arsyetimin se ishte nxjerrë nga një qeveri dhe një ministër në detyrë, të cilëve, sipas gjykatës, u mungonte kompetenca për të miratuar akte të tilla nënligjore.
Në një deklaratë zyrtare, Qeveria ka cilësuar këtë vendim si “të pabazuar në ligj” dhe një interpretim “të njëanshëm dhe arbitrar” të dispozitave ligjore.
“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin dhe kundërshtimin e saj ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Supreme të Kosovës, me të cilin është shfuqizuar një Udhëzim Administrativ, NR. 01/2025 për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve elektronikë fiskalë me arsyetimin se ky akt është miratuar nga një qeveri në detyrë dhe nga një ministër në detyrë, të cilëve gjoja u mungon kompetenca për të nxjerrë akte nënligjore.
Ky arsyetim është i pabazuar në ligj dhe përbën interpretim të njëanshëm e arbitrar të dispozitave ligjore. Konkretisht, neni 31 i Ligjit për Qeverinë nuk përmban asnjë ndalesë lidhur me nxjerrjen e akteve nënligjore nga një qeveri në detyrë apo ministrat në detyrë. Ky nen kufizon veprimtarinë e qeverisë në detyrë vetëm në çështje madhore, si: marrëveshje ndërkombëtare që kërkojnë ratifikim në Kuvend, amendamente kushtetuese, projektligje të reja, strategji dhe koncept-dokumente – por jo në nxjerrjen e akteve zbatuese, siç është Udhëzimi Administrativ në fjalë”, thuhet në njoftim.
Sipas Qeverisë, procedura për hartimin e këtij udhëzimi kishte nisur më 20 nëntor 2024, pra, kur Qeveria gëzonte mandat të plotë, gjë që i jep legjitimitet të plotë aktit të miratuar.
Qeveria ka vlerësuar se vendimi i Supremes përbën një kontradiktë të brendshme, pasi e njeh funksionimin e Qeverisë në detyrë, por njëkohësisht i mohon të drejtën për të ushtruar kompetenca që nuk janë të ndaluara me ligj.
“Për më tepër, procedura për hartimin e këtij Udhëzimi kishte nisur më 20 nëntor 2024, në kohën kur Qeveria gëzonte mandat të plotë kushtetues dhe ligjor, gjë që i jep këtij akti nënligjor legjitimitet të plotë proceduror dhe substancial.
Vendimi i Gjykatës Supreme është i brishtë edhe në aspektin logjik dhe kushtetues, për faktin se vetë ai e njeh ekzistencën dhe funksionimin e Qeverisë në detyrë, por njëkohësisht e mohon të drejtën e saj për të ushtruar një kompetencë që nuk është e ndaluar me ligj. Kjo përbën një kontradiktë të qartë në arsyetimin e dhënë dhe cenon parimin e sigurisë juridike dhe funksionimit të vazhdueshëm të institucioneve të ekzekutivit.
Sa i përket pretendimit për konflikt të mundshëm funksional ndërmjet funksionit të ministrit në detyrë dhe atij të deputetit, rikujtojmë se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në Aktgjykimin KO124/25, në dispozitiv por edhe në paragrafin 93 ka sqaruar se “…. Si rezultat i moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve, Kuvendi nuk ka arritur të konstituohet dhe për rrjedhojë i njëjti nuk është funksionalizuar si organ përfaqësues me autorizime ligjvënëse, vendimmarrëse dhe mbikëqyrëse të përcaktuara me Kushtetutë.” Ky Aktgjykim ka konstatuar qartë se Kuvendi i ri ende nuk është konstituuar, për shkak se Seanca Konstituive nuk mund të konsiderohet e përfunduar pa zgjedhjen e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit. Rrjedhimisht, nuk mund të ketë konflikt funksional mes pozitave të ministrit në detyrë dhe të deputetit, përderisa përbërja e re parlamentare nuk ka hyrë ende në funksion kushtetues”, thuhet më tej në njoftim.
Qeveria ka paralajmëruar se do të përdorë të gjitha mjetet juridike në dispozicion për ta kundërshtuar këtë vendim dhe për të garantuar kthimin e ligjshmërisë dhe standardeve demokratike në vendimmarrje.
“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj respektimit të rendit kushtetues dhe ligjor, si dhe ndaj funksionimit të pandërprerë të institucioneve të shtetit. Vendimet e institucioneve të drejtësisë duhet të respektojnë frymën e ligjit dhe të jenë të mbështetura në standarde të qarta juridike, e jo në interpretime të njëanshme apo të motivuara politikisht.
Ndaj këtij vendimi do të shfrytëzohen mjetet juridike në dispozicion për të kthyer ligjshmërinë dhe standardet demokratike”, thuhet në njoftim.















