Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK) ka protestuar për të shprehur pakënaqësinë ndaj qasjes së Qeverisë në raport me dialogun sindikal.

Protestuesit u mblodhën dhe marshuan drejt Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar rritje të pagave dhe kontratë kolektive për mësimdhënësit.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka bërë të ditur se kjo protestë vjen pas një periudhe të gjatë të negociatave të dështuara.

Sipas Jasharajt, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ka paralizuar çdo përpjekje për një dialog të mirëfilltë me sindikatat, duke neglizhuar kërkesat dhe shqetësimet e tyre.

“Qeveria Kurti dhe në këtë rast ministrja Nagavci kanë vazhduar me qasje të gabuar dhe me qëndrimin deri armiqësor ndaj SBASHK-ut dhe sindikatave. U munduan ta shuajnë SBASHK-un që të heshtin zërin tonë arsimor dhe të mos dëgjohen kërkesat e tyre legjitime, por SBASHK-u nuk shuhet dot sepse është unitet i kalitur nëpër vite e dekada, bazuar në respektin dhe besimin e anëtarësisë ndaj udhëheqësve e veprimtarëve sindikalë. Ministrja Nagavci asnjëherë s’u bë zëri i punëtorëve në arsim dhe asnjëherë nuk foli në Qeveri e nuk kërkoi të debatohej për kërkesat legjitime të punëtorëve të arsimit”, ka thënë Jasharaj.