Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot një mbledhje elektronike, në të cilën ka marrë një vendim lidhur me Komisionin për Provimin e Jurisprudencës.
Në këtë mbledhje, Qeveria ka miratuar ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të datës 20 prill, që ka të bëjë me emërimin e anëtarëve të këtij komisioni.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, ka zhvilluar sot mbledhje elektronike, në të cilën ka: – Miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë nr.24/11, të datës 20 prill 2026, për emërimin e anëtarëve të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës”, thuhet në njoftim.
Javën e kaluar, kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë për formimin e një Komisioni të ri për dhënien e Provimit të Jurisprudencës, duke e konsideruar atë si ndërhyrje në institucionet e pavarura.
Ai ka thënë se vendimi i Qeverisë është marrë mbi pretendime për mungesë transparence dhe ankesa ndaj komisionit aktual, por sipas tij, këto nuk qëndrojnë.
“Tendencat ndaj komisionit kanë filluar para një viti, arsyet e dhëna nga Ministrja e Drejtësisë, për të emëruar komisionin në përbërje të re, janë absurde dhe jo të vërteta, dhe vendimi si i tillë është jo ligjor dhe kundërkushtetues”, thuhet nga ana e tij.
Sipas tij, arsyeja e vetme e pakënaqësisë ka qenë kalueshmëria e ulët, ndërsa ka shtuar se Komisioni nuk ka lejuar ndërhyrje në vlerësimin e kandidatëve.