Përveç bashkëpunëtorëve, një urim kryeministri Albin Kurti, Kurti, si rrallëherë ua dërgoi edhe kundërshtarëve politikë.
“…uroj subjektet politike për rezultatet e korrura”, ka thënë Kurti.
Por, urimet përfunduan këtu.
Tash thotë që do ta nisë punën për formim të institucioneve, për çka rezultati zgjedhor i dha më së shumti përgjegjësi.
‘Nga viti i kaluar kemi humbur shumë kohë, dhe është jetike që sa më parë të kemi kuvend të konstituuar dhe qeveri me mandat ë plotë. Tash, presim certifikimin, që të fillojmë formimin e institucioneve të reja”, ka thënë Kurti.
Megjithëkëtë, drejt formimit të institucioneve, pritet që të ketë edhe një sfidë, meqenëse Vetëvendosje i mori 53 deputetë.
Andaj, nëse nuk arrihet marrëveshje me subjekte të mëdha politike, për çka ka pak gjasa, e asnjë tentim, opsioni i vetëm mbeten pakicat joserbe, të cilat i kanë fituar 11 mandate.
Televizioni ka tentuar të marrë qëndrime nga shumica e deputetëve të zgjedhur nga subjektet e pakicave joshumicë, por të njëjtit, ose nuk janë përgjigjur fare, ose janë rezervuar nga deklarimet mbi qëndrimet e tyre e kërkesat eventuale në këtë fazë.
Por, sipas një njohësit të çështjeve politike, bashkëpunimi me pakicat jo-serbe nuk do të jetë i lehtë, për faktin që tash, duke qenë shumë të nevojshëm, në këmbim të votës për qeverinë, mund të rrisin kërkesat.
“Është parë që partneriteti është parë në vazhdimësi me disa prej tyre, por jo me disa të tjerë. Dhe kjo e bën situatën interesante, për të parë se çfarë qasje do ketë Vetëvendosje në raport me partnerët potencial nga pakicat”, ka thënë njohësi i çështjeve politike, Albinot Maloku.
Sipas rezultatit përfundimtar, ulëse në kuvend kanë fituar edhe Duda Balje e Adem Hoxha, me të cilët Vetëvendosje, në mandatin e fundit nuk pati bashkëpunim.
Por, nga Lëvizja Vetëvendosje, të enjten nuk u përgjigjën në pyetjet e Dukagjinit, nëse kësaj radhe, do ketë një përpjekje të reja për një aleancë me ta.