Qeveria mohon përfshirjen në problemet teknike të sistemit digjital të KQZ-së
Qeveria e Kosovës ka mohuar për përfshirjen e saj në problemet teknike të sistemit digjital të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) – teksa uebfaqja e KQZ-së që nga nisja e procesit të numërimit ka pasur probleme teknike. Në një reagim të postuar në Facebook, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka sqaruar se ekzekutivi nuk ka […]
Qeveria e Kosovës ka mohuar për përfshirjen e saj në problemet teknike të sistemit digjital të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) – teksa uebfaqja e KQZ-së që nga nisja e procesit të numërimit ka pasur probleme teknike.
Në një reagim të postuar në Facebook, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka sqaruar se ekzekutivi nuk ka asnjë lidhje me serverët apo software-in e përdorur nga KQZ për digjitalizimin e procesit zgjedhor.
“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka të bëjë as me serverët e as me software-in e KQZ-së për digjitalizimin e procesit zgjedhor, duke përfshirë raportimin e daljes së votuesve në zgjedhje dhe rezultateve preliminare. Për informim të qytetarëve, KQZ ka pranuar serverë dhe pajisje përcjellëse për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve si donacion nga shteti i Gjermanisë kurse prokurimi për software-in e KQZ-së është bërë nga OSBE, gjithashtu si donacion. Për këtë ka njoftim publik dhe raportim mediatik: https://telegrafi.com/kqz-pranon-si-donacion-servere-dhe…/“, ka shkruar Kryeziu në Facebook.
Sipas tij, fajësimet që lidhen me Qeverinë janë përpjekje të qëllimshme për të krijuar huti dhe për të ulur besimin në procesin zgjedhor dhe rezultatet e tij.
“Akuzat në drejtim të Qeverisë për problemet teknike të sistemit digjital të KQZ-së janë përpjekje e ulët për të shkaktuar huti me qëllim që të ulet besimi në procesin zgjedhor dhe në rezultatin e tij.
Falënderojmë qytetarët për pjesëmarrjen e madhe në zgjedhjet e 9 shkurtit, qytetarinë e lartë të treguar përgjatë procesit të votimit dhe për aktivizmin qytetar për të raportuar çdo lëshim apo gabim të evidentuar gjatë numërimit të votave.
Vota e gjithsecilit do të mbrohet, vullneti i qytetarëve nuk do të tjetërsohet”, ka shkruar më tej Kryeziu.
Ndërkohë, edhe pse kanë kaluar tri ditë nga dita e zgjedhjeve, Komisioni Qendror Zgjedhor ende nuk ka numëruar të gjitha votat e hedhura në kutitë e votimit, dhe nuk ka asnjë informacion të saktë se kur do të fillojë numërimi i votave të ardhura nga diaspora.















