Në mbledhjen e 154-të, Qeveria e Kosovës i ka ndarë mbi 254 mijë euro për nxënësit e shkollave fillore në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

“Për t’i pajisur nxënësit shqiptarë të shkollave fillore në komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc me tekste mësimore në gjuhën shqipe, ndamë 254.562 euro”, thuhet në postimin e kryeministrit Albin Kurti në Facebook.

Po ashtu, në këtë mbledhje janë marrë edhe një sërë vendimesh të tjera që kanë të bëjnë me mërgatën, marrëveshje ndërkombëtare për ndalimin e fëmijëve të hyjnë në klube të natës e kështu më radhë.

Postimi i plotë:

Në mbledhjen e 154-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës:

– Për t’i pajisur nxënësit shqiptarë të shkollave fillore në komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc me tekste mësimore në gjuhën shqipe, ndamë 254.562 euro;

– I dhamë në shfrytëzim komunës së Prishtinës pronë të paluajtshme për familjen shtatë anëtarëshe, përfituese e skemës sociale;

– Për të forcuar lidhjen e mërgatës me institucionet e Republikës përmes Programit për Diplomaci Qytetare do të angazhohen edhe 25 profesionistë të rinj nga mërgata;

– U hapëm udhë dy marrëveshjeve ndërkombëtare për:

– zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë në zonat rurale përmes diversifikimit të aktiviteteve, si dhe

– përmirësimin e rehabilitimin e sistemeve të ujitjes.

– Plotësuam Programin Legjislativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2023;

– Miratuam dy udhëzime administrative, për:

– masat e duhura parandaluese dhe mbrojtëse për ndalimin e pjesëmarrjes së fëmijëve në klubet e natës dhe hapësira të tjera të ngjashme; dhe

– ambalazhin e mbeturinat e ambalazhit.