Qeveria në detyrë ka mbajtur mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar disa vendime që lidhen me financat publike, mbështetjen për kulturën dhe zbatimin e masave ekonomike.
Në këtë mbledhje është miratuar Raporti Gjashtëmujor Financiar i Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2026, njofton Dukagjini.
Sipas kumtesës së Qeverisë, pranimet buxhetore kanë arritur në 1 miliard e 816.52 milionë euro, ndërsa shpenzimet buxhetore kanë qenë 1 miliard e 777.50 milionë euro.
Po ashtu, Qeveria ka ndarë 21,000 euro për realizimin e shfaqjes “Taverna Mirësia – Mario, Bella, Anastasia”, me regji të Mario Banushit.
Një tjetër vendim i miratuar është ndarja e 1,400,000 eurove për zbatimin e Masës 3.8 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, e cila synon mbështetjen e aktiviteteve ekonomike dhe lehtësimin e ndikimit të sfidave ekonomike.
Në fund, ekzekutivi në detyrë ka miratuar edhe ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 08/20 të datës 22 maj 2026, që ka të bëjë me miratimin e Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0.