Qeveria në detyrë vendos të strehojë përkohësisht 50 migrantë të dëbuar nga SHBA-ja
Qeveria në detyrë e Kosovës, në mbledhjen e saj të 262-të të mbajtur sot në formë elektronike, ka miratuar një vendim për ofrimin e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme për 50 persona, në kuadër të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka theksuar se vendimi vjen si përgjigje […]
Qeveria në detyrë e Kosovës, në mbledhjen e saj të 262-të të mbajtur sot në formë elektronike, ka miratuar një vendim për ofrimin e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme për 50 persona, në kuadër të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka theksuar se vendimi vjen si përgjigje ndaj kërkesës së SHBA-ve për pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta, dhe është vlerësuar si shprehje konkrete e gatishmërisë së Kosovës për të bashkëpunuar me aleatin e saj strategjik.
“Sipas këtij vendimi, shteti ynë brenda një periudhe njëvjeçare do të pranojë dhe strehojë deri në 50 individë me qëllim të lehtësimit të kthimit të tyre të sigurt në vendin e prejardhjes. Përzgjedhja e këtyre personave do të bëhet nga një listë e propozuar, për aq sa ata i plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe rendin publik”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Sipas njoftimit të Qeverisë, gjatë qëndrimit në Republikën e Kosovës, këta persona do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të gjitha të drejtat që u garantohen me ligjet e Kosovës.
“Miratuar vendimin për ofrimin e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme për pesëdhjetë (50) persona, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Personat subjekt të këtij Vendimi, gjatë kohës së qëndrimit në Republikën e Kosovës, do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.
Qeveria në detyrë ka theksuar se Shtetet e Bashkuara mbeten një aleat i palëkundur i Republikës së Kosovës.















