“Pushteti që kontrollon çdo institucion, përmes makinerisë propagandistike në ndërtimin e së cilës ka punuar gjatë, po mundohet të ngrisë në diskutim publik çdo temë të mundshme, përpos atyre që prekin direkt jetën e qytetarëve – aty ku Qeveria po dështon në mënyrë spektakolare”.

Kështu ka thënë për Portalin Dukagjini, zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi.

Përgjatë të shtunës, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, postoi një shkrim të cilin e titulloi “Terri ka adresë”. Përmes këtij shkrimi, ai fajësonte Qeverinë e Kosovës, e cila sipas tij, vonon gjithmonë të veprojë.

Për Halimin, shkrimi i djeshëm i kryetarit Abdixhiku, ngrit çështjen më të rëndësishme për qytetarët e Kosovës ngase ka të bëjë me të gjitha vështirësit e jetës së përditshme të tyre.

“Për krizën ekonomike në përgjithësi – atë energjetike në veçanti, LDK dhe kryetari Abdixhiku, i kanë ofruar pushtetit alternativa, ide dhe propozime të shumta – nga pozicioni opozitar, të cilat janë refuzuar nga Qeveria me një përbuzje të pashembullt duke e përkthyer këtë përpjekje konstruktive në gjuhë të papranuar deri në fyerje në nivele personale. LDK në krye me Abdixhikun nuk do të imitojë askënd, madje nuk ka edhe çfarë të imitohet, përkundrazi LDK është duke demonstruar të kundërtën e asaj çfarë ka bërë kryeministri derisa ishte në opozitë, duke injektuar të paqenën e sot në pozitë duke i braktisur të gjithë kauzat mbi të cilat ka mbijetuar”, ka thënë Halimi për Portalin Dukagjini.

Gjersa ka theksuar se LDK-ja do të vazhdojë me propozime alternative për lehtësimin e situatës në vend, ajo ka thënë se përpjekjet e “spin doktorëve” nuk po kanë më efekt.

“Pavarësisht përpjekjeve të ‘spin doktorëve’ të ndryshëm, e të makinerisë kibernetike të pushtetit; qytetarëve të Kosovës nuk iu interesojnë më simbolika apo çfarëdo tema të tilla të ngjashme. Qytetarët kërkojnë një shteg daljeje nga kriza, një mundësi për përballueshmëri të krizës së çmimeve, dhe krizës energjetike, kriza këto të shkaktuara nga padija dhe arroganca e pushtetarëve. LDK do të vazhdojë me përgjegjësi, të jetë kujdestare duke ofruar propozime alternative gjithmonë në lehtësimin e jetës së qytetarëve”, ka thënë Halimi.

Në postimin e së shtunës së 20 gushtit, Kryetari Abdixhiku ka ftuar Prokurorinë e Kosovës t’i hetojë këto vonesa në mirëmbajtjen e Bllokut A5, si dhe Qeverinë e Kosovës që të nisë çdo përgatitje të nevojshme për një dimër me energji.