Qeveria shtyn vendimet, me kusht që deri të hënën të hiqen barrikadat në Veri

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të shtyjë implementimin e vendimeve të reciprocitetit të letërnjoftimeve me Serbinë dhe atë për targa

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në ceremoninë e përfituesve nga Programi për Zhvillim Rajonal të Balancuar 2022

“Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri më datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës”.

Kështu thuhet në njoftimin e qeverisë, ku theksohet se Qeveria e Kosovës ka dënuar ashpër bllokimin e rrugëve në veri të Kosovës dhe të shtënat nga njerëz të armatosur të strukturave ilegale atje.

“Kryeministri Kurti së bashku me Presidenten Osmani dhe zëvendëskryeministrat, Bislimi e Gërvalla kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, bëhet fjalë për tendencë për destabilizimin e Kosovës dhe rrezikimin e paqes dhe sigurisë së qytetarëve dhe vendit.

“Akte agresive të shumta ka pasur në pasditen dhe mbrëmjen e sontme të nxitura e të përgatitura nga Beogradi zyrtar. Falenderojmë partnerët ndërkombëtarë, në veçanti ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier, për angazhimin dhe kontributin”, vijon njoftimi.

Ndryshe, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier ka kërkuar shtyrjen e implementimit të vendimeve të Qeverisë së Kosovës për 30 ditë.

Ambasadori i SHBA-së, Hovenier është takuar me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministrin Kurti dhe dy zëvendëskryeministrat, Besnik Bislimi dhe Donika Gërvalla.

Ai ka thënë se ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë implementimin e vendimeve të marra nga mbledhja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar të Kosovës, e mbajtur mëngjesin e së dielës.

Ai ka thënë se tensionet në veri të Mitrovicës kanë ardhur si shkak i dezinformimit dhe informimit jo të mjaftueshëm të dy vendimeve.

“ShBA-ja nuk ka pasur shqetësim për vendimin. Kam pasur takim me presidenten Osmani, kryeministrin Kurti, zëvendëskryeministrin Bislimi dhe ministren e Jashtme Gërvalla, për të bërë një kërkesë të qartë nga Qeveria e ShBA-së që të shtyhet implementimi i vendimit për 30 ditë. Mendoj se shtyrja e implementimit do të ishte e nevojshme, pasi duket se ka pasur dezinformata dhe keqkuptime për vendimin”, ka thënë ai.

Ndër të tjera, ai ka theksuar se nuk është duke kërkuar largimin e plotë të vendimeve, por vetëm kohën për t’i qartësuar ato.

“Mendoj se shtyrja e implementimit do të ishte e nevojshme, pasi duket se ka pasur dezinformata dhe keqkuptime për vendimin. Shpresojmë të punojmë me partnerët tanë në BE që të reduktohen tensionet. Ne nuk po kërkojmë anulimin e vendimit, të jem i qartë, por shtyrjen”, ka thënë Hovenier.

Njëherësh, Hovenier ka theksuar se vendimet e palës kosovare nuk bien ndesh me marrëveshjet e Brukselit.

Shija e redaktorit

Spanja kampione e Evropës për herë të katërt

Ka mbaruar super ndeshja mes Spanjës dhe Anglisë në kuadër të finales së Kampionatit Evropian 2024. Pas një loje fantastike, Spanja ka përmbyllur ndeshjen me...

Spanja në finale, mposht Francën

Kombëtarja e Spanjës ka arritur kualifikimin në finale të Euro 2024, pasi mposhti me rezultat 2:1 kombëtaren e Francës në gjysmëfinale. Në pjesën e dytë...

Ballkani triumfon në ndeshjen e parë kualifikuese në Ligën e...

Ballkani ka fituar 2-1 ndaj Santa Coloman në 1/8 e fazës kualifikuese në Ligën e Kampionëve. Ndeshja nisi me një ritëm të qetë, por që...

Të fundit nga rubrika