“Qeveria stopon projektin tonë për bulevard në rrugën për Kosovë “Hasan Prishtina””
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) e ka akuzuar Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për qasje monoetnike dhe krijime të skandaleve. “Qeveria monoetnike po avanson nga një skandal në ditë, tashmë po bëhen nga disa skandale në ditë, 60 ditë qeverisje, 120 skandale”, thuhet në reagim. BDI e ka konsideruar “të papranueshëm dhe të parealizueshëm propozimin […]
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) e ka akuzuar Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për qasje monoetnike dhe krijime të skandaleve.
“Qeveria monoetnike po avanson nga një skandal në ditë, tashmë po bëhen nga disa skandale në ditë, 60 ditë qeverisje, 120 skandale”, thuhet në reagim.
BDI e ka konsideruar “të papranueshëm dhe të parealizueshëm propozimin e qeverisë monoetike që problemet me qytetin e Shkupit të zgjedhen në kurriz të shqiptarëve, edhe atë duke e ndaluar ndërtimin e bulevardit Hasan Prishtina në rrugën për Kosovë si dhe nyjen tek semaforët në rrugën “Slovenia”, që gjithashtu e lidh Çairin me rrugën për Kosovë”.
BDI e ka kritikuar edhe koalicionin VLEN që është pjesë e Qeverisë për siç kanë thënë ata mosreagim.
“Edhe si zakonisht, asnjë fjalë nga V-aza-LENët ndaj kësaj përbuzjeje, poshtërsimi, nënçmimi të shqiptarëve nga qeveria monoetnike”, thuhet në reagimin e BDI-së.
“Qeveria e BDI i ndau 8 milionë euro qytetit të Shkupit për bulevardin ‘Hasan Prishtina’ që e lidh Shkupin me qarkoren në rrugën për Kosovë dhe nyjen që e lidh atë bulevard me Çairin, Butelin dhe Shuto Orizaren”, vijon njoftimi.
Në reagimin e BDI-së thuhet se nën qeverisjen e re në Maqedoninë e Veriut janë shtuar skandalet që po e dëmtojnë komunitetin shqiptar atje.
“Pas mohimit të flamurit kombëtar, “dellumno” edhe të himnit shqiptar, gjuhës shqipe, administratorëve, ndryshimeve kushtetuese, Marrëveshjes së Ohrit, legjitimitetit, fjalës së dhënë publikisht dhe nënshkrimit të deponuar, turpërimit para Kosovës dhe Shqipërisë, mohimit të Kosovës, sjelljes së putinistit Stoilkoviq në krye të drejtave tona, korridorit 8, i erdhi rradha edhe ndalimit të projektit jetik për ndërtimin e bulevardit Hasan Prishtina në rrugën për Kosovë”, thuhet në reagim.
Nga BDI e kanë akuzuar VLEN-in se kanë hyrë në Qeveri pa asnjë kusht e vetëm për t’u pasuruar në kurriz të popullit.
Sipas tyre, ky koalicion po i shërben politikave antishqiptare.
“A keni një grimcë dinjiteti? Për çfarë keni hyrë në qeveri pa legjitimitet, kur asnjë pikë e vetme e programit tuaj nuk është e përfshirë? Përgjigjja është e qartë, për t’u pasuruar në kurriz të popullit dhe për t’i shërbyer VMROsë në politikat antishqiptare”, thuhet në reagim.















