Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka reaguar pas rastit të ndodhur më 7 korrik 2025 në Lipjan, ku një qytetar humbi jetën gjatë ndërhyrjes së Policisë së Kosovës.

Në reagimin e saj, QKRMT shpreh shqetësim të thellë dhe keqardhje për incidentin, duke kërkuar që rasti të trajtohet me urgjencë, profesionalizëm dhe transparencë nga institucionet e drejtësisë dhe mekanizmat mbikëqyrës të zbatimit të ligjit.

“Veprimet e forcave të rendit, përfshirë ndërhyrjet në situata të tensionuara, duhet të jenë gjithmonë në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet në reagim.

QKRMT thekson se përdorimi i forcës nga ana e policisë duhet të jetë i kufizuar në domosdoshmëri dhe proporcionalitet, duke shtuar se vdekja e një qytetari gjatë apo pas arrestimit është një alarm serioz për institucionet dhe për shoqërinë në tërësi.

Për këtë arsye, QKRMT kërkon hetim të pavarur dhe gjithëpërfshirës, për të përcaktuar me saktësi rrethanat dhe përgjegjësitë eventuale të këtij rasti tragjik.

Po ashtu, kjo qendër apelon për trajnime të detyrueshme dhe sistematike për zyrtarët policorë mbi përdorimin proporcional të forcës dhe respektimin e të drejtave të njeriut gjatë ushtrimit të detyrës.