QKSS: “Projekti 5000” i Serbisë, rrezik për stabilitetin rajonal

Raporti i ri i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), shqyrton ndryshimet e forcave speciale ushtarake të Serbisë nën “Projektin 5000”, duke theksuar shqetësimet për paqen dhe stabilitetin në rajon

Foto ilustrim

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), të martën ka publikuar një raport me titull “Çka është “Projekti 5000” i Serbisë dhe pse duhet të jemi të shqetësuar?”.

Sipas QKSS-së, ky raport shqyrton zgjerimin e forcave speciale ushtarake të Serbisë nën “Projektin 5000” dhe pasojat e tij të mundshme në paqen dhe stabilitetin rajonal.

Në raport thuhet se “Projekti 5000” synon t’i forcojë forcat speciale serbe, duke e rritur numrin e tyre nga 1500 në 5000.

Sipas raportit, kjo nismë sinjalizon një qëllim të qartë për të forcuar aftësitë ofensive dhe operacionet speciale.

“Nisma për të zgjeruar ndjeshëm numrin e forcave speciale nga 1500 në 5000 sinjalizon një qëllim të qartë për të forcuar aftësitë ofanzive dhe operacionet speciale. Kjo lëvizje tregon një fokus në forcat fleksibël, me reagim të shpejtë, të afta për të ekzekutuar një gamë të gjerë operacionesh ushtarake, duke nënvizuar një zhvendosje drejt aftësive ushtarake më dinamike dhe të gjithanshme”, thuhet në raport.

Siç thuhet në raport, ky zgjerim ambicioz ngre shqetësime kritike në lidhje me ndryshimin e ekuilibrit ushtarak dhe rrezikun e rritur të tensioneve rajonale.

“Neutraliteti ushtarak i vetëshpallur i Serbisë është gjithnjë e më i vështirë për t’u përshtatur me lëvizjet e saj të fundit strategjike, duke përfshirë rikthimin e mundshëm të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, investime të rëndësishme në armatim të avancuar dhe përmirësimet gjithëpërfshirëse të forcave të saj speciale që synojnë rritjen e kapaciteteve ushtarake. Këto zhvillime japin një pamje të një vendi që po forcon në mënyrë aktive forcën e tij ushtarake dhe gatishmërinë operacionale. Veprime të tilla janë në kontrast të thellë me parimet e neutralitetit ushtarak. Divergjenca midis deklaratave zyrtare të Serbisë për neutralitet dhe përparimeve të saj të prekshme ushtarake sugjeron një mospërputhje midis politikës së deklaruar dhe strategjisë aktuale ushtarake”, thuhet mes tjerash në raport.

Në gjetjet e raportit thuhet se përpjekjet për zgjerimin dhe modernizimin ushtarak të Serbisë, veçanërisht përmes “Projektit 5000”, mund të kenë implikime të thella për sigurinë rajonale.

“Këto zhvillime mund të kontribuojnë në një dilemë sigurie në Ballkanin Perëndimor, ku vendet fqinje mund të ndjehen të detyruara të forcojnë aftësitë e tyre ushtarake si përgjigje, duke çuar potencialisht në një garë armatimi dhe tensione në rritje. Gara e armatimit midis Serbisë dhe Kroacisë – për shumëkënd – tashmë kjo po ndodh”, thuhet në raport.

Sipas raportit, forcimi i kapaciteteve ushtarake të Serbisë, veçanërisht në kontekstin e raportit të saj me Kosovën dhe sfidave më të gjera rajonale, reflekton një politikë më të vendosur të sigurisë.

“Kjo politikë ndikohet nga partneriteti strategjik i Serbisë, veçanërisht me Rusinë dhe Kinën, dhe ka implikime për përpjekjet e integrimit euroatlantik dhe interesat strategjike të NATO-s në Ballkan”, thuhet në raport.

Gjithashtu, raporti i QKSS-së thekson nevojën urgjente për dialog dhe bashkëpunim midis shteteve të Ballkanit Perëndimor, NATO-s dhe palëve të tjera të interesuara për të adresuar potencialin për përshkallëzimin e konfliktit.

Në këtë raport janë edhe disa rekomandime për Qeverinë e Kosovës.

Sipas QKSS-së, Qeveria duhet të investojë më shumë në institucionet e inteligjencës dhe të zhvillojë aftësi të reja të mbledhjes së informatave për të ofruar paralajmërim të hershëm.

Tutje, nga ana e QKSS-së, thuhet se Agjencia e Inteligjencës së Kosovës dhe Policia e Kosovës duhet t’i shtojnë mjetet dhe sensorët për të monitoruar situatën në veri të Kosovës, ndërsa policia kufitare duhet të rrisë prezencën dhe patrullimet e saj përgjatë kufirit me Serbinë.

Ndër të tjera, në raport thuhet se Qeveria duhet të rrisë bashkëpunimin me partnerët strategjikë në shkëmbimin e informacionit.

Sipas raportit, Qeveria e Kosovës në konsultim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet e sigurisë duhet të konsiderojë zbulimin strategjik të informacionit të ndjeshëm për publikun si mjet për parandalimin e sulmeve të mundshme të planifikuara dhe dhunës nga paraushtarakët me origjinë serbe.

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika