Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Vigan Qorolli, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë.
Përmes një postimi në Facebook, Qorolli ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar se Kuvendi është legjitim dhe se Qeveria është zgjedhur në përputhje me Kushtetutën.
Ai ka theksuar se brenda dy javësh, përkatësisht deri më 6 tetor, duhet të zgjidhet Presidenti i Republikës.
Qorolli u ka bërë thirrje PDK-së, LDK-së dhe AAK-së që të votojnë për zgjedhjen e Presidentit dhe ta përmbyllin procesin institucional.
“Pra, PDK, LDK e AAK: ose ulemi, votojmë dhe e përmbyllim këtë proces institucional, ose vendi shkon në zgjedhje në mesin e nëntorit. Hajdeni ta zgjedhim Presidentin”, ka shkruar Qorolli.
Ai ka thënë se, në rast se Presidenti nuk zgjidhet, përgjegjësinë do ta mbajnë këto subjekte politike.