Akademiku Rexhep Qosja, e ka vlerësuar lartë veprimtarinë e veprimtarit të cështjes kombëtare, Adem Demaçi. Në pesë vjetorin e vdekjes së Demaçit, Qosja e ka shpërndarë një fjalim që e kishte bërë në 80-vjetorin e lindjes së veprimtarit Demaçi.

Aty thuhet se Demaçi, nuk është vlerësuar asnjëherë sa duhet nga institucionet e Kosovës.

“As gjashtëmbëdhjetë vjet pas çlirimit, çmimi shtetëror i Kosovës për krijimtari mendore, që i është dhënë shumë kujt, kujt e meriton dhe kujt s’e meriton, nuk i është dhënë Adem Demaçit!”, ka shkruar ai.

Qosja përmendi se si Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, nuk e ka pranuar Adem Demaçin brenda vetes.

“As gjashtëmbëdhjetë vjet pas çlirimit të Kosovës Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, anëtarë të së cilës janë bërë edhe vetje pa rëndësi as politike, as shkencore, as artistike për Kosovën, nuk e nderoi veten e saj duke e pranuar Adem Demaçin!”, tha ai.

Po ashtu, ai theksoi se si shteti i Kosovës nuk e ka bërë deputet të përhershëm veprimtarin Demaçi e as deputet me mandat të kufizuar.

“As gjatë gjashtëmbëdhjetë vjetëve të Kosovës së çliruar Adem Demaçin nuk e bënë as deputet të përhershëm siç janë bërë në botë disa autoritete të mëdha kombëtare, nuk e bënë as deputet katërvjeçar, as kryetar të Kuvendit të Kosovës, as kryeministër e as kryetar të Kosovës! U bënë deputetë, kryetarë të Kuvendit, kryeministra, kryetarë të Kosovës vetje, që s’i kanë dhuruar asnjë pikë djersë lirisë së Kosovës, që s’i kanë kushtuar asnjë orë e asnjë fjali pavarësisë së Kosovës, por s’u bë Adem Demaçi!”, u shpreh Qosja.

Përjashtimi i Demaçit sipas Qosjes, u bë nga ata që e xhelozuan për shkak të meritave të tij historike e që të tjerët sipas tij nuk i kishin.

“Nuk ka dyshim se sjelljen e këtillë ndaj Adem Demaçit, që në thelb dëmtoi Kosovën e bënë arrivistët e pushtetshëm – ata që Adem Demaçin e xhelozuan dhe e xhelozuan për shkak të të gjitha atyre meritave historike, që ka ai për Kosovën dhe për popullin shqiptar në përgjithësi, për shkak të autoritetit madhor me të cilin ai i bën gati të padukshëm gjithë të tjerët. Por jo vetëm kaq. Sjelljet e këtilla përjashtuese ndaj Adem Demaçit ta themi kryetar i Kosovës i nxiti shumë më tepër droja prej etikës së tij politike me të cilën ai do të parandalonte privilegjet, korrupsionin, zhvatjet, lukset, pasurimin e lehtë, të shpejtë, të kundërligjshëm, e të këqijat e tjera në institucionet shtetërore, duke e bërë përgjegjshmërinë jo vetëm kulturë por edhe ligj të pashmangshëm në politikën shqiptare”, tha Qosja.
Sot bëhen pesë vjet që kur ndërroi jetë veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, i njohur si Mandela i Kosovës.

Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vite me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai u quajt edhe Nelson Mandela i Evropës.