Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka deklaruar se krijimi i unitetit politik në vend nuk është një utopi, por një domosdoshmëri urgjente përballë rreziqeve të brendshme dhe të jashtme.

Quni tha se vendi ka nevojë për lidership vizionar, gatishmëri për kompromis dhe vënien e interesit shtetëror mbi interesat partiake.

“Kosova po përballet me kërcënime serioze, si sulme kibernetike, propagandë dhe dezinformata. Këto vijnë nga Serbia, pas së cilës qëndron Rusia me aleatët e saj”, u shpreh Quni në Kuvend.

Ai shtoi se të gjitha partitë politike duhet të tregojnë pjekuri dhe të bashkohen në funksion të interesit kombëtar.

“Krijimi i unitetit politik nuk është utopi, por domosdoshmëri për të adresuar rreziqet aktuale dhe për të siguruar të ardhmen euroatlantike të Kosovës. LDK gjithmonë ka pasur si referencë kyçe interesin shtetëror, sidomos kur vendi ndodhet përballë kërcënimeve serioze”, theksoi Quni.