Rreshtimin e kishin bërë si në luftë.

Ashtu edhe marshin.

Ish-luftëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës këto veprime i bën për një arsye.

Për të nderuar e kujtuar sakrificën e Komandantit Legjendar, Adem Jashari dhe familjen e tij që u flijuan për liri 26 vjet më parë për çka edhe tash shënohet Epopeja e UÇK-së.

“Është shumë emocionale të vish në këtë fortesë dhe të kujtosh ata njerëz të cilët dhanë më të shtrejtën, jetën për çlirimin e vendit tonë, tokës arbërore”, ka thënë Ismail Selmani – ish-luftëtar.

Ndonëse në moshë, i mbijetuari i masakrës së Izbicës, Milazim Thaçi kishte gjetur kohë të vijë për vizitë në Kompleksin Memorial.

Ai tregoi si e përjetoi lajmin e flijimit të Familjes Jashari.

“Vitin që është sulmu Adem Jashari e kena pritë me merzi të madhe dhe me krenari të madhe sepse ky njeri e kjo familje ka ia ka dhanë lirinë Kosovës dhe krejt shqiptarisë”, ka thënë ai.

Në ditën e dytë të manifestimit të Epopesë së UÇK-së, në mesin e vizitorëve kishte edhe shumë fëmijë.

Të shoqëruar nga mësimdhënësit e tyre ata ia thoshin edhe këngës.

Këta tinguj shoqëruan gjatë gjithë ditës Prekazin, në 26 vjetorin e Epopesë së UÇK-së e flijimit të Familjes Jashari.