“Qytetarët aktivë” me aksion kundër festivalit “Sunny Hill” në Gërmi
Një grup qytetarësh të thirrur në emër të organizatës “Qytetarët aktivë”, të hënën do të mbajnë një aksion në formë proteste kundër mbajtjes së festivalit “Sunny Hill”, në Parkun e Gërmisë. Përmes një reagimi në Facebook, kjo organizatë e ka kritikuar Ministrinë e Mjedisit dhe Komunën e Prishtinës që sipas tyre kundërligjshëm i kanë dhënë […]
Një grup qytetarësh të thirrur në emër të organizatës “Qytetarët aktivë”, të hënën do të mbajnë një aksion në formë proteste kundër mbajtjes së festivalit “Sunny Hill”, në Parkun e Gërmisë.
Përmes një reagimi në Facebook, kjo organizatë e ka kritikuar Ministrinë e Mjedisit dhe Komunën e Prishtinës që sipas tyre kundërligjshëm i kanë dhënë lejen festivalit që të mbahet në Gërmi.
Ky veprim sipas tyre do ta degradojë natyrën dhe “larminë biologjike”. Sipas kësaj organizate, ndotja akustike siç e kanë quajtur ata e rrezikon shëndetin e kafshëve.
“Ndotja akustike ka pasoja te kafshët pasi e rrezikon aftësinë e tyre për të zbuluar gjahun ose grabitqarët dhe për të komunikuar me njëri-tjetrin. Si rezultat, zhurma indirekt ndikon në riprodhimin dhe mbijetesën e kafshëve të egra”, thuhet në reagimin e tyre.

“U bëjmë thirrje institucioneve të mandatuara të mos kontribuojnë në vrasjen dhe shkatërrimin e mjedisit dhe habitateve të kafshëve të egra. Jemi pjesë e natyrës dhe pa të do të shkatërrohemi edhe ne të gjithë!”, vazhdon reagimi i tyre.
Disa nga motot e shkruara në pankarta me anë të të cilave do të protestohet janë “Shtëpi për kafshët e egra jo për festivale”, “Ndotja akustike rrezikon habitatin e kafshëve”, “Vrasësit e natyrës”, e kështu me radhë.
Festivali “Sunny Hill” i organizuar nga ylli botëror i muzikës Dua Lipa, do të mbahet në parkun e Gërmisë pas disa polemikave në mes të Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Mjedisit.
















