​Qytetarët e Kosovës do të paguajnë për qeset plastike nga janari i vitit të ardhshëm

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka bërë të ditur se nga janari i vitit 2023, qytetarët e Kosovës priten të paguajnë qeset plastike, për arsye të parandalimit të ndotjes së mjedisit, ndërsa gradualisht ato do të largohen edhe nga përdorimi

Ilustrim

Qytetarët e Republikës së Kosovës nga janari i vitit 2023, priten të paguajnë qeset plastike, për arsye të parandalimit të ndotjes së mjedisit, ndërsa gradualisht do të largohen edhe nga përdorimi.

Këtë e ka bërë të ditur zëvendësministrja në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Linda Çavdarbasha, e cila ka diskutuar edhe për problemet me të cilat po ballafaqohen bizneset sa i përket vonesave për lëshimin e lejeve mjedisore.

Ajo ka thënë se propozimi për çmimin e qeseve është bërë me standardin e jetesës në Kosovë, ku qesja pritet të jetë pesë deri në 10 cent.

“Bazuar në standardin e jetesës në Kosovë, janë propozuar disa opsione për çmimin e qeseve, mirëpo akoma nuk është marrë ndonjë vendim final. Bazuar në studim, diku 5 cent deri në 10 cent ka qenë e propozuar që të bëhet pagesa për qeset plastike”, ka thënë zëvendësministrja.

Linda Çavdarbasha, zëvendësministre në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës

Ajo ka deklaruar për KosovaPress, se përmes studimit të bërë nga ekspertë të jashtëm, kanë rezultuar në tri opsione për reduktimin apo ndalimin e qeseve plastike.

“Me ndihmën e GIZ-it kemi angazhuar ekspertë të jashtëm të cilët kanë bërë një studim, para disa ditësh e kemi pranuar studimin ku ekspertët e kanë vlerësuar bazuar në standardet në Kosovë, ku kanë ardhur në një përfundim që kanë prezantuar tri opsione se si mund të shkohet deri te reduktimi apo deri te ndalimi i ndotjes nga plastika njëpërdorimshme, në këtë rast qeset”, ka theksuar ajo.

Sipas saj, propozimi i parë ka qenë që në mënyrë vullnetare, qytetari mos me i marrë qeset në makete, opsioni i dytë ka qenë të vendoset një taksë, e cila do ta bënte qesen me pagesë, ndërsa opsioni i tretë ka qenë që të largohet e tëra prej përdorimit.

Çavdarbasha ka shtuar duke e marrë shembull që edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, kanë larguar qeset e plastikës nga përdorimi, sipas saj ata më përpara e kanë përdorur opsionin që fillimisht të bëhet qesja me pagesë, pastaj tranzicioni të bëhet gradualisht.

“Fillimisht prej janarit të vitit 2023 do të fillojnë qeset plastike të bëhen me pagesë dhe gradualisht të shikohet se si të ndalohet fare përdorimi i tyre në treg. Po presim që nga viti tjetër të legjitimohet, kjo do të bëhet bazuar në udhëzimin administrativ, i cili do të fillojë shumë shpejt të draftohet dhe të miratohet në Qeveri”, ka deklaruar Çavdarbasha.

Zëvendësministrja gjithashtu ka shtuar që studimi është bërë duke përfshirë edhe qytetarët, ku shpreson se do të pritet me pozitivitet, pasi është edhe veprim praktik.

Çavdarbasha ka propozuar si opsion qeset nga materiali që janë të ripërdorshme në mënyrë të parandalohen ato të plastikës.

Ilustrim

Ndërkaq, ajo ka folur edhe për vonesat e mëdha për lëshimin e lejeve mjedisore. Për këtë çështje, kishin reaguar bizneset, të cilat kanë thënë se po marrin dënime nga inspektorët e Ministrisë së Mjedisit, por edhe po detyrohen të ndalin punën dhe të largojnë punëtorët.

Sipas Çavdarbasha, në këtë ministri ka mungesë të zyrtarëve të cilët punojnë në këtë departament.

“Faktikisht, ministria varësisht prej madhësisë së lëndëve të cilat janë, sepse në ministri ka shumë kërkesa që vinë për leje ujore dhe leje mjedisore, andaj duke pasur parasysh edhe numrin e zyrtarëve të cilët punojnë në departament, i cili është shumë i vogël dhe për trajtimin e një kërkesë nevojitet kohë shumë e madhe”, ka thënë Çavdarbasha.

Ndryshe, nga data 1 qershor, Shqipëria ka ndaluar përdorimin e qeseve plastike njëpërdorimshme.

Nisma për ndalimin e qeseve plastike njëpërdorimshme kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka vlerësuar se është në favor të mbrojtjes së atdheut dhe të fëmijëve.

Në Itali është paraparë gjobë nga 2500 euro në 25 mijë euro për të gjithë ata pronarë biznesesh që tregtojnë produkte ushqimore e jo ushqimore tek klientët me qese plastike jo të biodegradueshme.

Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika