Shumë qytetarë nga vende të ndryshme të Kosovës, gjatë së martës ia mësynë qendrës për regjistrim civil në Prishtinë.

Por, jo të gjithë morën shërbimet për të cilat ishin nisur.

“Sot kemi aplikuar edhe për letërnjoftim, e kemi pasur edhe letërnjoftimin e humbur, kemi kqyr edhe për pasaporta, nuk ka material për pasaporta. Është kohe e gjatë që nuk ka material, na nuk po dijmë çfarë shteti, kemi nevojë me udhëtuar nuk po mundemi, është problem”, ka thënë Naser Vasolli – Qytetar.

“Kjo është e padrejtë, ashtu edhe me letërnjoftime, asnjë shtet në bote nuk ka kështu, kjo është normale çka është duke ndodhur kështu” , ka shtuar Bedri Topikjani – Qytetar.

Probleme me mungesën e materialeve për pasaporta, letërnjoftim e patentë shofer, ka edhe në komuna të tjera, tash e disa muaj, për çka qytetarët thonë se po u shkakton telashe të shumta.
“Në Dragash tash kishte shumë njerëz nga diaspora. Kishin ardhur me shpresë që të zgjasin afatin e dokumenteve të tyre, por ka shumë të tillë që mbetën këtu, pasi nuk kanë mundur t’i marrin ato, me përjashtim të rasteve me nevoja shëndetësore. Njerëzit pyesin kur mund ta bëjnë këtë”, ka deklaruar Arsim Reka – Qytetar nga Dragashi

Ndonëse, ditë më parë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, i ka kërkuar Gjermanisë që të lejojë hyrjen e kosovarëve edhe me pasaportë të skaduar, shkaku i probleme me material dhe që kjo të vlejë së paku deri në qershor, gjatë së martës nga MPB-ja kanë thënë se situata do ndryshojë në fund të janarit.

“Ministria e Punëve të Brendshme, ju njofton se në fund të janarit pritet të filloj furnizimin me material. Me ketë rast Ministria e Punëve të Brendshme shprehë keqardhje për situatën e krijuar dhe kërkon mirëkuptim nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, deri në zgjidhjen e kësaj çështje”, kanë sqaruar Ministria e Punëve të Brendshme.

Por, përkundër insistimit, nga kjo ministri nuk janë përgjigjur në lidhje me kërkesën që i kanë drejtuar shtetit gjerman, e nëse kompania e njëjtë të cilën e kanë kontraktuar muaj më parë, do e bëjë furnizimin tani.

Kritika ndaj ekzekutivit, për këtë kanë drejtuar edhe partitë opozitare.

“Liria e udhëtimit është një e drejtë bazike, s’është luks. Në kohën kur ne të gjithë jemi mobilizuar, në vend por edhe mekanizmat ndërkombëtar të BE-së për të na ofruar liberalizimin e vizave, shteti s’ka aftësi t’i pajisë qytetarët me pasaporta”, ka përfunduar Visar Azemi – Lidhja Demokratike e Kosovës.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pa dhënë detaje, tha se MPB-ja, është gjendur në një situatë të pazakonshme, dhe se janë duke punuar për këtë.