Të premten e 18 marsit, banorët e lagjeve “Lakrishta”, “Qendra”, “Bregu i Diellit” dhe “Santea”, kanë protestuar para Komunës së Prishtinës kundër ndërmarrjes “Prishtina Parking”, e cila i ka vendosur laurat në lagjet e tyre.
Me pankarta në duar si, “Parkingu është i banorëve, jo i pazarit”, “Parkingu është i banorëve, jo i Liridonave”, “Kemi nevojë për përkrahje, jo për gjoba”, banorët kanë kërkuar që të mbrohet ligji dhe të merren masa ndaj kësaj kompanie.
Një qytetar i Prishtinës, para mediave ka thënë se “ky është krim legal, një krim që komuna e menaxhmentit të kaluar e ka legalizuar me një rregullore të kundërligjshme”.
Ai, po ashtu, ka kërkuar nga Policia e Kosovës që ta hetojnë se si ka funksionuar kjo ndërmarrje deri më tani.
“E ftoj menaxhmentin e policisë ta hetojë se kush ka lejuar që ‘Prishtina Parking’ ta kryejë punën e policisë”, është shprehur ai.
Kjo sepse siç ka theksuar ai, rregullorja është jo valide në bazë ligjore, dhe se, e njëjta, e kundërshton direkt ligjin për rregullimin e trafikut rrugor dhe ligjin e policisë.
“I vetmi institucion që ka bazë ligjore dhe autoritet në Kosovë për të shqiptuar gjoba, të bllokojnë makina, të zhvendosin makina, të caktojnë se ku është e ndaluar parkimi është Policia e Kosovës”.
Në anën tjetër, ai ka kërkuar edhe nga kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, që të mos e ndryshojë rregulloren, ngase sipas tij, e njëjta, nuk është valide.
“I them kryetarit që këtë e ka trashëgimi nga Shpend Ahmeti (ish-kryetari i Prishtinës), dhe banda e tij, andaj kërkoj që kryetari ta ndalojë këtë veprimtari sot sepse do të ketë incidente serioze”.
Ai, në anën tjetër, përfaqësuesit e ndërmarrjes “Prishtina Parking”, i ka quajtur arrogantë.
“Janë shumë arrogantë, janë bandita dhe flasin të pavërteta”, ka thënë ai.
“Na kanë dërguar një letër me datë 15, ata janë mashtrues, po e keqpërdorin policinë, kanë arritur t’ia marrin kompetencat policisë”, ka shtuar qytetari.
Të mbledhur me qëllimin e dorëzimit të këtyre kërkesave në komunë, qytetarët që po protestonin nuk janë lejuar të futen brenda objektit.
Nga ky institucion iu është thënë të presin deri sa të njoftohen nga zyrtarët kompetentë.
Ndërkaq, më dy mars, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, është ankuar për probleme me parkingjet në Prishtinë, për të punësuarit në kryeqytet.
Përmes një reagimi në Facebook, kishte thënë se këto veprime po e vështirësojnë jetën e qytetarëve.
“Veprimet e përshpejtuara e të paarsyeshme dita-ditës janë duke ia vështirësuar jetën ekonomike e sociale qytetarit të Republikës së Kosovës”.
“Parkingjet e shtrënguara dhe të ‘kontrolluara’ por, jo të mirëmbajtura si duhet dhe me procedura të vështirësuara gjithandej qytetit të Prishtinës, po ua vështirësojnë jetën qytetarëve e sidomos të punësuarve”, thuhet në një reagim të BSPK-së të martën.
Në këtë reagim thuhej se, aktualisht, është gati e pamundur t’i afrohesh vendit të punës dhe të kesh vendparkimin e duhur e në kohën e duhur.
Ndërkaq, në Prishtinë, ka dy vjet që ka nisur edhe ndërtimi i një parkingu të madh pranë hapësirës së kampusit të Universitetit të Prishtinës.
Nga Komuna e Prishtinës, kanë thënë se projekti pritet të përfundojë në korrik të vitit 2022.
Punimet për ndërtimin e parkingut nëntokësor kanë filluar në tetor të vitit 2020, megjithëse, kontrata ishte nënshkruar në vitin 2019.
Parkingu parashihet të ketë 23 mijë metra katrorë hapësirë, dy kate me nga 11 mijë e 500 metra katrorë dhe, përafërsisht, me 700 vend parkime.