Në Mal të Zi, votimi për zgjedhjet presidenciale ruse u organizua në ndërtesën e ambasadës ruse në Podgoricë. Qendra e votimit thuhet që është hapur që nga ora 08:00 e mëngjesit deri në 20:00 të mbrëmjes.

Në fletën e votimit janë katër kandidatë, nga të cilët i vetmi favorit është presidenti aktual, Vladimir Putin, i cili është në rrugën e tij për të siguruar një mandat tjetër gjashtëvjeçar, raporton Vijesti.

Në faqen e internetit dhe rrjetet sociale të Ambasadës nuk ka të dhëna për numrin e shtetasve rusë që kanë të drejtë vote në Podgoricë, por dihet se në Mal të Zi zyrtarisht banojnë rreth 27 mijë rusë.

Votimi i sotëm në Podgoricë tërhoqi shumë aktivistë dhe gazetarë rusë të shqetësuar për rregullsinë e zgjedhjeve.

“Këto zgjedhje janë një cirk total dhe një falsifikim total, sepse në Moskë dhe Kremlin tashmë kanë numrat e tyre, duan të paraqesin se ne votuam për Putinin. Rezultatet e zgjedhjeve në fakt dihen tashmë. Me këtë ngjarje në Mal të Zi dhe vendet e tjera evropiane, duam të tregojmë se ka mijëra njerëz që janë kundër tij, të cilët mendojnë se Putin është një kriminel lufte që na vjedh lirinë”, tha redaktori i botimit të pavarur online “The Insider”, Oleg Pshenikny.

Presidenti aktual rus, Vladimir Putin (71), i cili ka qenë vazhdimisht në postin e presidentit apo kryeministrit për gati 25 vitet e fundit, po konkurron me tre politikanë më pak të njohur: liderin e Partisë Liberal Demokratike, Leonid Slutsky, nënkryetari i Dumës Shtetërore, Vladislav Davankov, nga partia Njerëz të Ri, dhe deputeti i Dumës Shtetërore Nikolai Kharitonov nga Partia Komuniste, pozicionet politike të të cilëve vështirë se ndryshojnë nga ato të Putinit.