Këtë të mërkurë, rreth orës 15:15, është raportuar një grabitje në një këmbimore në lagjen “Tophane” në Prishtinë.

I dyshuari ka përdorur një armë zjarri AK-47, ndërsa një qytetar ka reaguar duke qëlluar me armë për të parandaluar grabitjen.

Policia e Rajonit të Prishtinës ka ndërhyrë menjëherë dhe pas disa minutash ka arrestuar të dyshuarin e plagosur në Obiliq.

“Sot rreth orës 15:15 është raportuar për një rast grabitje në një këmbimore në lagjen ‘Tophane’ në Prishtinë, me ç’rast i dyshauri ka shtënë me armë zjarri AK-47. Si reagim ndaj të shtënave të të dyshuarit, në përpjekje për të parandaluar grabitjen, një qytetar po ashtu ka shtënë me armë zjarri. Pas marrjes së informacionit, zyrtarët e Policisë së Rajonit të Prishtinës kanë dalë në vendngjarje, kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme operativo-policore dhe pak minuta pas raportimit të rastit, kanë arrit që në Obiliq të arrestojnë personin dyshuar i cili është i lënduar”, thuhet në njoftimin e PK-së.

I dyshuari, sipas njoftimit të policisë, ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Policia ka sekuestruar veturën dhe armën e përdorur gjatë grabitjes, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.

Foto: Policia e Kosovës.
Foto: Policia e Kosovës.