Radio Kroate shënon 100-vjetorin, Diplomati Mentor Tahiri duartrokitet në Zagreb pasi kujtoi fjalët: Ju flet Radio Zagrebi në gjuhën shqipe
Në ambientet e Biblioteka e Qytetit “Bogdan Ogrizović” është shënuar 100-vjetori i Radios Kroate, një jubile që mblodhi përfaqësues të institucioneve shtetërore, mediave, diplomacisë, komunitetit akademik dhe jetës kulturore të Kroacisë. Në kuadër të aktivitetit u zhvillua edhe paneli i diskutimit “E ardhmja e radios”, ku u debatua për transformimin e medias radiofonike në epokën […]
Në ambientet e Biblioteka e Qytetit “Bogdan Ogrizović” është shënuar 100-vjetori i Radios Kroate, një jubile që mblodhi përfaqësues të institucioneve shtetërore, mediave, diplomacisë, komunitetit akademik dhe jetës kulturore të Kroacisë.
Në kuadër të aktivitetit u zhvillua edhe paneli i diskutimit “E ardhmja e radios”, ku u debatua për transformimin e medias radiofonike në epokën digjitale, sfidat teknologjike, ruajtjen e besueshmërisë mediatike dhe rolin e radios në komunikimin modern global.
Në këtë ngjarje mori pjesë edhe diplomati Mentor Tahiri, në emër të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Zagreb, i cili përcolli urimet institucionale për jubileun dhe vlerësoi kontributin historik të Radios Kroate në promovimin e informimit profesional dhe fjalës së lirë.
Diplomati Tahiri u përcoll me duartrokitje nga të pranishmit kur rikujtoi fjalët simbolike “Ju flet Radio Zagrebi në gjuhën shqipe”, duke evokuar lidhjen emocionale që qytetarët e Kosovës kanë pasur me këtë medium gjatë viteve ’90-ta.
Ai kujtoi se pas mbylljes së Radio Televizionit të Prishtinës nga regjimi i atëhershëm serb, Radio Zagrebi ishte një nga hapësirat kryesore mediatike prej nga dëgjohej zëri i Kosovës dhe raportimet për zhvillimet në vend.
Diplomati Tahiri shprehu mirënjohje të veçantë ndaj gazetarëve dhe drejtuesve të Radios Kroate për solidaritetin profesional dhe njerëzor të treguar ndaj popullit të Kosovës në periudhën e represionit dhe izolimit mediatik.
Sipas tij, 100-vjetori i Radios Kroate nuk përfaqëson vetëm një jubile institucional, por një dëshmi të rëndësishme të rolit të medias publike në mbrojtjen e vlerave demokratike, të drejtës për informim dhe ndërtimit të urave të komunikimit ndërmjet popujve.
Gjatë aktivitetit, diplomati kosovar zhvilloi edhe një bashkëbisedim me Nina Obuljen Korzhinek, të cilës i shprehu vlerësimin për mbështetjen e institucioneve kroate ndaj kulturës, mediave profesionale dhe bashkëpunimit rajonal.
Pjesëmarrja e Ambasadës së Kosovës në këtë aktivitet u vlerësua si vazhdimësi e marrëdhënieve të mira ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, si dhe respektit të ndërsjellë për rolin e mediave të lira dhe institucioneve kulturore në forcimin e demokracisë dhe dialogut ndërmjet dy vendeve.















