Radoiçiqi në tubimet e partisë së Vuçiqit, Haxhiu: Serbia po e mbron organizatorin e sulmit terrorist në Banjskë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas publikimit të pamjeve në mediat serbe, ku Milan Radoiçiq shfaqet përkrah djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në një tubim elektoral të partisë në pushtet në Kragujevc.

Në një postim në Facebook, Haxhiu ka kritikuar autoritetet serbe për lejimin e lëvizjes së lirë të Radoiçiqit, të cilin e cilëson si organizator të sulmit terrorist në Banjskë, duke theksuar se ai jo vetëm që gjen strehë në Serbi, por edhe pritet e nderohet në rrethet e pushtetit.

Ajo ka rikujtuar se më 24 shtator 2023, grupi i armatosur i udhëhequr nga Radoiçiqi sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Sipas Haxhiut, sulmi kishte për qëllim cenimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

Haxhiu ka theksuar se, pavarësisht se Radoiçiqi mori publikisht përgjegjësinë për organizimin e sulmit, ai ende nuk është përballur me drejtësinë, ndërsa shfaqet lirshëm në tubimet e partisë në pushtet në Serbi.

“Kjo nuk mund të trajtohet thjesht si mungesë e bashkëpunimit me drejtësinë”, ka shkruar Haxhiu, duke ngritur pikëpyetje për përgjegjësinë politike të autoriteteve serbe dhe duke kërkuar që ato t’i japin fund mbrojtjes së tij dhe ta dorëzojnë në Kosovë.

Kryetarja e Kuvendit i ka bërë thirrje edhe bashkësisë ndërkombëtare që të reagojë qartë ndaj kësaj situate, duke kërkuar trysni konkrete dhe pasoja për Serbinë në rast të mosdorëzimit të Radoiçiqit dhe personave të tjerë të kërkuar për sulmin në Banjskë.

Sipas Haxhiut tolerimi i mëtejshëm i kësaj situate rrezikon të përcjellë mesazhin se sulmet terroriste mund të mbeten pa ndëshkim kur autorët gëzojnë mbrojtjen e pushtetit.

Më tej Haxhiu ka theksuar se drejtësia për rreshterin Afrim Bunjaku dhe vënia para përgjegjësisë e organizatorëve të sulmit në Banjskë mbeten detyrim i patjetërsueshëm, duke nënvizuar se ata duhet të përballen me drejtësinë në Republikën e Kosovës.

“As koha e as afërsia me pushtetin në Beograd nuk do t’i amnistojnë ata që e përgatitën dhe e kryen sulmin”, ka thënë Haxhiu.

Shija e redaktorit

Kosova pret Austrinë në “Fadil Vokrri”, synon fitoren për kreun...

Përfaqësuesja e Kosovës përballet sonte me Austrinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ndeshjes së katërt të Grupit B3 në Ligën e Kombeve....

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Të fundit nga rubrika