Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka kritikuar mënyrën se si po trajtohen prodhimet vendore, duke thënë se kjo situatë po e dëmton një zinxhir të tërë që përfshin fermerët, përpunuesit, prodhuesit dhe konsumatorët.
Rafuna ka kërkuar nga institucionet e vendit që të mbështesin prodhimet vendore, duke theksuar se importi është rritur ndjeshëm ndër vite, ndërsa eksporti ka mbetur në vlera të njëjta.
“Është një situatë e padrejtë që po trajtohen prodhimet tona, prodhimet kosovare, për shkak se ky është një zinxhir i tërë që përfshin prej fermerit, përpunuesit, prodhuesit, po edhe konsumatorit. Dhe ne gjithmonë kemi kërkuar që prodhimet kosovare të mbështeten, për shkak se edhe ashtu i kemi pak prodhime që prodhojmë në Kosovë dhe na ka mbytur importi”, tha Rafuna, raporton Ekonomia Online.
Ai ka kërkuar me urgjencë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Ministria e Bujqësisë që të mos ndërmarrin veprime që, sipas tij, mund të dëmtojnë imazhin e produkteve vendore dhe të krijojnë pasiguri te konsumatorët.
“Mos të marrin veprime të cilat e prishin imazhin ose krijojnë të pavërteta ose krijojnë edhe panik te konsumatori që mos me i blerë prodhimet e Kosovës. Prodhimet e Kosovës prodhohen me standardet më të larta, janë me cilësinë më të lartë, janë produkte që unë jam dëshmitar dhe e them me plot përgjegjësi që i bëjnë konkurrencë dhe produkteve që prodhohen që 100 vjet, jo vetëm në tregun rajonal, po edhe në tregun evropian”, u shpreh ai.
Rafuna ka kërkuar që prodhimet vendore të subvencionohen, të mbrohen dhe të krijohen mundësi për zgjerimin e tregjeve.
“Andaj, prodhimet tona nuk meritojnë këtë trajtim. Kërkojmë që prodhimet tona të subvencionohen, të mbrohen, po edhe të punohet që t’ju gjendet një treg më i madh. Kështu që, këto kanë krijuar me mijëra vende pune dhe janë një segment shumë i rëndësishëm i degës së zhvillimit ekonomik”, deklaroi Rafuna.
Rafuna tha se prodhuesit e produkteve të qumështit aktualisht kanë mundësi të kufizuara për eksport, ndërsa institucionet duhet të punojnë për hapjen e tregjeve të reja.
“Dhe prodhimet tona ose produktet e qumështit vetmen mundësi për me u plasuar e kanë tregun rajonal, edhe ato vetëm në Maqedoni, Shqipëri dhe Mal të Zi. Nuk e kanë mundësinë në Serbi dhe nuk e kanë mundësinë në vendet e tjera, në vendet e Bashkimit Evropian, pikërisht për shkak të mospunës së Agjencisë së Veterinarisë dhe Ushqimit që nuk kanë punuar që certifikata e veterinarisë të njihet”, tha ai.