Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka reaguar ndaj rritjes së çmimeve të derivateve të naftës në Kosovë, duke vlerësuar se kjo situatë ka pasoja të drejtpërdrejta si për bizneset ashtu edhe për qytetarët.
Rafuna, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se çdo rritje e çmimit të derivateve reflektohet në çmimin final të produkteve dhe shërbimeve, duke rritur kostot e operimit për bizneset dhe barrën financiare për konsumatorët.
Rafuna tha se rritja e çmimeve të karburanteve ndikon edhe në inflacion, pasi shumë produkte dhe shërbime shtrenjtohen si pasojë e kostove më të larta të transportit dhe furnizimit.
“Nuk është lajm i mirë për biznesin rritja e çmimit të naftës e nuk është lajm i mirë as për qytetarët, sa i përket biznesit çdo rritje e çmimit të derivateve të naftës reflekton në produktin final ose çmimin e produktit final dhe për qytetarët s’është lajm i mirë se e rrit edhe inflacionin dhe është çmim shumë më i lartë sesa që ka qenë dhe produktet e tjera janë në çmime më të larta vetëm pse është rritur çmimi i naftës. Çmimet tavan nuk e rregullojnë situatën edhe produktet që importohen nuk importohen me çmimin tavan që e ka Qeveria e Kosovës dhe për ne nuk është zgjidhje aspak vendosja e çmimit tavan por një produkt që importohet nuk mund të shitet nën koston e prodhimit prandaj qytetarët duhet të kenë mundësinë e zgjedhjes se me çfarë kualiteti dëshiron ta marrë të njëjtin produkt”, u shpreh Rafuna.