“Rajska Banja” dikur menaxhohej nga terroristët serb, tash nën administrimin e AKP-së
Dikur banjë termale e Kosovës tash e kthyer në një kompleks hotelesh nga struktura ilegale të Serbisë. Ndërmjet këtyre dyjave, një fakt ka ndryshuar. Tash “Rajska Banja” e ndodhur në Banjskë të Zveçanit është në dorën e shtetit të Kosovës, respektivisht të Agjencisë Kosovare të Privatizimit e cila të mërkurën ia vendosi drynin. Një ditë […]
Dikur banjë termale e Kosovës tash e kthyer në një kompleks hotelesh nga struktura ilegale të Serbisë.
Ndërmjet këtyre dyjave, një fakt ka ndryshuar.
Tash “Rajska Banja” e ndodhur në Banjskë të Zveçanit është në dorën e shtetit të Kosovës, respektivisht të Agjencisë Kosovare të Privatizimit e cila të mërkurën ia vendosi drynin.
Një ditë më parë këtu dogana e Policia e Kosovës kishin bastisur objektin ku edhe konfiskuan pije e mallra tjera të cilat dyshohet që ishin të kontrabanduara.
Ky objekt ishte renovuar pa leje ndonëse toka dhe objekti ishte prone e ndërmarrjes shoqërore Trepca Standard me seli në Mitrovicën Veriore.
Në ndëkohë, AKP i tregoi televizionit se asetet e Trepça Standard i janë dhënë me qera Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Duke e pas parasysh situatën në teren dhe kushtet e vështirësuara që kanë ekzistuar më parë në 4 komunat ne veri të vendit, AKP nuk ka pasur mundësi që të ushtroj mandatin e saj ligjor në plotësi. Tani me përmirësimin e kushteve dhe qasjes së lehtësuar, si dhe me pranimin e informacioneve që ka pasur edhe veprimtari të paligjshme në këto objekte, AKP me asistencë të policisë ka vendosur pronën nën administrim të saj.
Para se të merren këto masa AKP ka tentuar të kontaktoj palët që kanë shfrytëzuar këto objekte deri tani, por s’ka pasur sukses as t’i identifikoj dhe as t’i kontaktoj. Asetet e N.Sh. Trepça Standard i janë dhënë me qira MPB-së”, thuhet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Ministri i brendshme, Xhelal Sveçla tha se aty ishte investuar paligjshëm dhe se pronësia finale e këtij objekti nuk është përcaktuar akoma.
“Pse dikush ka investuar jashtëligjshëm, mendoj qe është mësim për të gjithë ata, të cilët dëshirojnë të investojnë jashtëligjshëm, se nuk mund ta bëjnë. Sa i përket menaxhimit të atij kompleksi, Ministria e Punëve të Brendshme është rezultat i bashkimit të dy ministrive, të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Administratës Publike, e ish-Ministria e Administratës Publike e ka departamentin e menaxhimit të objekteve të këtilla, në pronësi të shtetit. Kjo është arsyeja pse e kemi marrë në menaxhim dhe destinacionin final të këtij objekti do t’ia paracaktojmë ndërkohë”, ka deklaruar Sveçla.
Drejtor i këtij kompleksi ka qenë Danilo Delibasic, i cili dikur ishte edhe shefi i organizatës së shpallur terroriste nga Qeveria e Kosovës, e njohur si “Mbrojtja Civile”. Delibasic në qershor të këtij vitit është kapur me një sasi shumë të madhe armatimi në Zveçan.















