Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka deklaruar se objekti që u rrëzua në një fushë në lindje të vendit në orët e para të së enjtes ishte me shumë gjasa një raketë ruse Kh-101.
Objekti i paidentifikuar krijoi një krater rreth 10 metra të gjerë pranë fshatit Tarnawa Kolonia, rreth 100 kilometra larg kufirit me Ukrainën, në kohën kur Rusia po kryente një sulm të gjerë ajror ndaj qyteteve Lviv, Kyiv dhe zonave pranë Kryvyi Rihut, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Pas një mbledhjeje urgjente të mbajtur në qytetin lindor Lublin, Tusk tha se “të gjitha indikacionet” tregojnë se objekti që shkeli hapësirën ajrore polake ishte një raketë ruse Kh-101. Më vonë ai vizitoi vendin e ngjarjes dhe deklaroi se, sipas ekspertëve ushtarakë, shumica e fragmenteve të gjetura tregojnë se bëhet fjalë për këtë lloj rakete.
Megjithëse nuk është raportuar për viktima apo të lënduar, kryeministri polak theksoi se incidenti po trajtohet me seriozitet maksimal.
“Nuk kishte kërcënim të menjëhershëm, pasi objekti nuk ra në një zonë të banuar. Ne ishim të përgatitur ta rrëzonim nëse do të kishte vazhduar fluturimin”, deklaroi Tusk.
Ministri polak i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, bëri të ditur se gjatë natës janë vërejtur rreth 20 objekte pranë hapësirës ajrore të Polonisë, ndërsa po kryhen analiza piroteknike të fragmenteve të gjetura.
Më herët, ministri i Jashtëm në detyrë i Ukrainës, Andriy Sybiha, kishte deklaruar se një raketë ruse Kh-101 kishte “hyrë në territorin ajror të Polonisë si pjesë e sulmit masiv rus kundër Ukrainës”, duke e cilësuar këtë si shkelje të hapësirës ajrore të NATO-s.
Tusk tha se është në kontakt me liderët evropianë, ndërsa presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, deklaroi se sulmi i kombinuar rus kundër Ukrainës dëshmon sërish se agresioni rus përbën kërcënim për sigurinë e të gjithë Evropës.
Sipas autoriteteve ukrainase, të paktën tetë persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në sulmet ruse në Ukrainë, përfshirë gjashtë anëtarë të një familjeje pranë Kryvyi Rihut. Dhjetëra të plagosur u raportuan edhe në Lviv, afër kufirit perëndimor të Ukrainës me Poloninë.
Që nga fillimi i pushtimit të plotë rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, disa dronë rusë dhe një raketë ruse e paarmatosur kanë përfunduar në territorin polak.
Polonia njoftoi se objekti u zbulua rreth orës 03:40, kur ushtria dërgoi një avion luftarak F-16 për ta interceptuar. Objekti u zhduk pak minuta më vonë nga radarët, ndërsa një helikopter ushtarak u angazhua për kërkimin e zonës.
Banorët e Tarnawa Kolonias raportuan se dëgjuan një shpërthim të fortë rreth orës 04:00, ndërsa policia gjeti vendin e rrëzimit rreth një orë më vonë.
Incidenti ndodhi vetëm disa orë pasi Tusk ishte takuar në Lublin me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili po kthehej nga bisedimet me presidentin amerikan Donald Trump.