Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Komuna do të fillojë sonte largimin e mbeturinave nga kryeqyteti, duke akuzuar ndërmarrjen publike “Pastrimi” për sabotim të qëllimshëm dhe të motivuar politikisht.

Në një postim në Facebook, Rama ka theksuar se ndalja e mbledhjes së mbeturinave nga kjo ndërmarrje prek vetëm Prishtinën, pavarësisht se Komuna është financuesi më i madh i saj.

Ai ka hedhur poshtë pretendimet se Prishtina i ka borxh 2.7 milionë euro “Pastrimit”, duke deklaruar se Komuna ka zero borxh ndaj kësaj ndërmarrjeje.

Sipas tij, gjatë mandatit të tij, “Pastrimi” ka përfituar më shumë se 13 milionë euro nga Komuna e Prishtinës, përfshirë blerjen e kamionëve të rinj dhe kontejnerëve, si dhe subvencione shtesë.

Megjithatë, Rama thotë se kjo mbështetje është keqpërdorur nga menaxhmenti për rritje të pagave për drejtuesit dhe punësime të panevojshme politike.

Ai ka rikujtuar se më 13 maj kishte thirrur një seancë të jashtëzakonshme për të subvencionuar pagat e punëtorëve të “Pastrimit” me 300 mijë euro, por se kjo dështoi për shkak të mungesës së opozitës.

“Sonte, Kryeqyteti do të fillojë largimin e mbeturinave. Do të shfrytëzojmë të gjithë mekanizmat alternativë që kemi në dispozicion. Sabotazha nuk kalon!”, ka shkruar Rama.