Rama: Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë, element sigurie për Ballkanin
Në ceremoninë e mbajtur në Kuçovë për inaugurimin e bazës ajrore të NATO-s, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Shqipëria mirëpret dhe respekton aleatët e saj, në një aleancë ku, sipas tij, paqja është e garantuar. Në fjalën e tij të hënën, Rama ka theksuar rëndësinë e kësaj baze për stabilitetin në Ballkanin […]
Në ceremoninë e mbajtur në Kuçovë për inaugurimin e bazës ajrore të NATO-s, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Shqipëria mirëpret dhe respekton aleatët e saj, në një aleancë ku, sipas tij, paqja është e garantuar.
Në fjalën e tij të hënën, Rama ka theksuar rëndësinë e kësaj baze për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri ka sjellë një perspektivë historike, duke krahasuar kohën e regjimit komunist në vitin 1954, kur Shqipëria konsiderohej një vend strategjik për Perandorinë Sovjetike.
Në atë kohë, si ka theksuar se baza e Kuçovës ishte vendi i një numri të konsiderueshëm avionësh bombardues.
“Këtu në Kuçovë ishin sistemuar një numër jo i vogël avionësh bombardues. Por të lexosh planin e deklasifikuar të luftës që qëndronte në sirtarët e Kremlinit, lufta do të niste me bombardimin e NATO, bazat e NATO-s, dhe pjesë do të ishin edhe avionët bombardues të bazës së Kuçovës. Sot jetojmë në një epokë tjetër”, ka thënë Rama.
Rama ka shtuar se aktualisht jetojmë në një epokë tjetër, dhe se Shqipëria ka zhvilluar ndryshime demokratike që e bëjnë atë pjesë e një aleance vlerash për garantimin e paqes.
Kryeministri Rama ka shprehur falënderim për kontributin e Italisë dhe të Turqisë në hapjen e bazës. Pasi, sipas tij, kontribut në hapjen e kësaj baze janë edhe Italia e Turqia, që kanë ndihmuar Shqipërinë me avionë.
“Shqipëria gjendet në anën tjetër, duke mirëpritur me respekt aleatët e saj dhe partnerë, në një aleancë që është së pari aleancë vlerash për garantimin e paqes. Jam i lumtur që një punë e nisur prej kohësh, arriti të përfundojë. Këtu me ne janë miq, aleatë. Falënderoj ministrin e Mbrojtjes së Italisë, që ka ardhur me disa avionë me vete. Falënderoj miqtë turq, që për 3 dekada e mbajtën gjallë frymën e kësaj dekade”, ka deklaruar kryeministri Rama.
Më tej, Rama ka ritheksuar se kjo bazë është një element sigurie për Ballkanin Perëndimor.















