Rama: Bienalja ‘Manifesta’ nuk dështoi si rezultat i angazhimit tim
Kreu i kryeqytetit, Përparim Rama, ka thënë se bienalja nomade “Manifesta”, e cila u mbajt këtë vit në Prishtinë, me edicionin e saj të 14-të, ka rrezikuar të mos organizohet fare për shkak të problemeve logjistike. Rama tha se kjo bienale nuk dështoi si rezultat i angazhimit të tij, pasi ka pasur shanse të mëdha […]
Kreu i kryeqytetit, Përparim Rama, ka thënë se bienalja nomade “Manifesta”, e cila u mbajt këtë vit në Prishtinë, me edicionin e saj të 14-të, ka rrezikuar të mos organizohet fare për shkak të problemeve logjistike.
Rama tha se kjo bienale nuk dështoi si rezultat i angazhimit të tij, pasi ka pasur shanse të mëdha të mos ndodhte “Manifesta”.
“’Manifesta’ ka qenë shumë e rrezikuar, tepër e rrezikuar, këtë e thotë edhe Hedwig Fijen, se po të mos isha unë që kam qenë pjesë e ‘Manifestës’ prej fillimit si zëvendëskryetar, pastaj si kryetar i kryeqytetit, ‘Manifesta’ ka pasur shumë shanse të mëdha të mos ndodhte, kështu që e kemi mundësuar që ‘Manifesta’ të ndodhë”, tha Rama në KlanKosova.
Ai theksoi problemet që ka pasur “Manifesta” që në fillim.
“’Manifesta’ ka pasur probleme fillimisht për shkak të pandemisë që i ka humbur një vit, pastaj aspekte logjistike për pagesë të disa faturave për t’i mundësuar shumë procese që nuk janë bërë me kohë nga qeverisja e kaluar, nuk janë bërë për aspekte burokratike që ne është dashur t’i shtyjmë përpara”, ka shtuar ai.
Sipas tij, pa një bashkëpunim të mirëfilltë ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror dhe ekipës së ‘Manifestës’ ka mundur që të shtyhen projektet. Ai tha se ka pasur rreth 147 mijë vizitorë kjo bienale.
“Pa një bashkëpunim të mirëfilltë ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror dhe ekipës së ‘Manifestës’ nuk kishim mund ta shtyjmë projektet e mirëfillta përpara dhe ta transformojmë kryeqytetin, ta bëjmë gati për bienalen e ‘Manifestas’, që ka prurë shumë vizitorë. Ka pasur mbi 800 mijë vizita në secilën prej këtyre pikave, 147 mijë vizitorë, ka pasur numër të madh të vizitorëve që kanë ardhur enkas vetëm për bienalen ‘Manifesta’ dhe kjo ka pasur impakt pozitiv për ekonominë e kryeqytetit”, tha Rama.















