Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas bombardimit të spitalit Al-Ahli në Rripin e Gazës, duke thënë se pamjet janë shumë tronditëse kur sheh qindra njerëz që u masakruan dhe humbën jetën.

“Sipas të drejtës ndërkombëtare dhe ligjeve të luftës që prej kohësh, të sëmurët dhe të plagosurit, spitalet, personeli mjekësor dhe objektet e lëvizshme të kujdesit mjekësor nuk duhet të jenë në shënjestër. Nuk ka asnjë justifikim dhe asnjë falje, në asnjë rrethanë, për të sulmuar infrastrukturën mjekësore, civilët dhe ekipet mjekësore”, ka shkruar Rama në Twitter.

Më tutje, ai ka thënë se Shqipëria është në anën e Izraelit.

“Hamasi është një kancer në trupin e njerëzimit, por kjo nuk justifikon mbylljen e syve ndaj imazheve të tmerrshme të spitalit të bombarduar ose thjesht duke u mbështetur në deklaratën thellësisht tronditëse të Kryeministrit të Izraelit”, ka shtuar Rama.

Sipas kryeministrit shqiptar, duhet të bëhet një hetim për këtë bombardim, dhe kjo sipas Ramës duhet të bëhet “për hir të gjithë njerëzimit”.

“Prandaj, hetimi i fakteve për identifikimin e autorëve të kësaj kasaphane masive dhe sigurimi i dënimit të tyre pa asnjë ekuivok është një përgjegjësi e padiskutueshme dhe një detyrim thelbësor i botës demokratike ndaj mbarë njerëzimit”, ka përfunduar Rama.

It is profoundly shocking to witness the images of the bombing of Al-Ahli Hospital in Gaza, where hundreds of people were massacred and lost their lives. According to international law and the laws of war since ages itself, the sick and wounded, hospitals, medical personnel, and…

— Edi Rama (@ediramaal) October 18, 2023