Rama dhe Abazoviq mbërrijnë në Kiev – pas mesditës do të takohen me presidentin dhe kryeministrin e Ukrainës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kanë mbërritur në Kiev të Ukrainës, ku pritet ta takojnë presidentin Volodymyr Zelenskyy, nga i cili edhe e kishin marrë ftesën për vizitë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Malit të Zi, Dritan Abazoviq

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bashkë me Kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq  kanë mbërritur në Kiev të Ukrainës.

Për këtë vizitë, dy kryeministrat shqiptarë kanë marrë ftesë nga vetë presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy.

Përmes një postimi në Twitter, Abazoviq njoftoi për mbërritjen në Kiev. Ai tha se këtë vizitë po e bëjnë për ta mbështetur popullin ukrainas.

“Kemi arritur me Edi Ramën në Kiev, për t’i ofruar mbështetje qytetarëve sa i përket të drejtës për ta mbrojtur lirinë. Mali i Zi vazhdon ta ndihmojë Ukrainën në momentet e vështira dhe në katastrofën humanitare”, ka shkruar kryeministri i Malit të Zi.

Delegacioni nga Shqipëria dhe Mali i Zi, pas mesditës pritet që të takohen me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, ku pastaj do ta mbajnë edhe një konferencë të përbashkët për media.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Ukrainë

Pas takimit me presidentin Zelenskyy, në orët e pasdites, Edi Rama dhe Dritan Abazoviq, do të takohen me kryeministrin ukrainas Denys Shmyhal.

Të dy delegacionet,  gjatë vizitës së tyre në Ukrainë, pritet ta vizitojnë rajonin e Bucha-s, ku forcat ruse kishin kryer masakra në civilë të pafajshëm, po ashtu do të vizitohen edhe zonat e bombarduara në qytetet Irpin dhe Borodyanka dhe pastaj një ekspozitë për luftën e Ukrainës me Rusinë.

Delegacioni zyrtar nga Shqipëria përbëhet nga: Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali, Ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin, Endri Fuga, Drejtor i Agjencisë për Media dhe Informim, Volodymyr Shkurov, Ambasador i Republikës së Ukrainës në Shqipëri, Dorjan Duçka, Këshilltar i jashtëm dhe dy gazetarët Ben Blushi,  Baton Haxhiu..

Fotografi e realizuar nga gazetari Baton Haxhiu, i cili është pjesë e delegacionit shqiptar

Kurse pjesëmarrësit e delegacionit nga Mali i Zi janë: Dritan Abazoviç, Kryeministër i Republikës së Malit të Zi, Ana Rasovic, Shefe e kabinetit të Kryeministrit Abazoviç, Djorde Raduloviç, Këshilltar për Politikë të Jashtme, Milos Perisiç, Këshilltar për Media, Radivoje Koprivica, Këshilltare për Media Digjitale dhe Srdan Kosoviç, Gazetar.

Më tre maj të vitit 2022, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, në adresimin e tij para deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, kishte thënë se qëndrimi i Shqipërisë ndaj popullit të Ukrainës e bën atë të kujtojë Nënë Terezën.

Zelenskyy i është drejtuar Shqipërisë në vazhdën e adresimeve që ai ka bërë që nga fillimi i luftës, nëpër parlamente të vendeve evropiane dhe vendeve të tjera aleate, të cilat e kanë përkrahur vendin e tij në përballjen me pushtimin rus, të nisur më 24 shkurt.

Volodymyr Zelenskyy, gjatë një adresimi në Parlamentin e Shqipërisë

Ai fjalën e tij e kishte nisur me një urim për festën e Fiter Bajramit për të gjithë besimtarët myslimanë.

“Kërkoj t’i kufizoni ardhjet e turistëve rusë, se nuk mund ta dimë kush erdhi te ju sot. Sado e vështirë të jetë, duhet të kufizohet tërësisht tregtia me Rusinë. Kërkoj t’i mbyllni portet për anijet ruse”, tha ai.

Zelenksy ka falënderuar Qeverinë shqiptare për mbështetjen dhe ndihmën e saj drejt Ukrainës.

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika