Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se Ministria e Financave ka filluar alokimin e pjesshëm të mjeteve financiare në vlerë prej 25 milionë eurosh, të cilat i takojnë bartjes buxhetore të vitit 2024.
Sipas Ramës, ky është një zhvillim i rëndësishëm si për qytetarët ashtu edhe për punëtorët e Kryeqytetit, të cilët kanë pritur për zhbllokimin e fondeve.
“Lajm i mirë për qytetarët dhe punëtorët e Kryeqytetit: Më në fund ka filluar alokimi i pjesshëm i mjeteve financiare prej 25 milion euro nga bartja e vitit 2024 nga Ministria e Financave drejt Kryeqytetit. Drejtoria e Financave e Kryeqytetit do të vazhdojë punën sot, jashtë orarit të rregullt të punës, me qëllim të procesimit sa më të shpejtë të pagesave. Në përputhje me dinamikën e alokimit të mjeteve nga Ministria, ne si komunë do të vazhdojmë me procesimin e pagesave në mënyrë të vazhdueshme dhe të rregullt. Presim që sa më shpejtë të përfundojë alokimi i plotë i shumës prej 25 milionë eurosh nga Ministria. Falënderojmë qytetarët dhe punëtorët për mirëkuptimin, durimin dhe bashkëpunimin!”, ka shkruar Rama.