Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka kërkuar Gjykatës Supreme që me prioritet ta shqyrtojë rastin që lidhet me Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB), duke thënë se çështja prek rreth 350 familje.
Rama ka bërë të ditur se gjatë një vizite në NPB është takuar me menaxhmentin e ndërmarrjes, me të cilin ka diskutuar për situatën e krijuar lidhur me pagat e punëtorëve.
Sipas Ramës, mosekzekutimi i pagave është pasojë e një vendimi të marrë para fillimit të mandatit të tij, të cilin ai e konsideron të paligjshëm dhe që, sipas tij, ka rrezikuar funksionimin e ndërmarrjes.
“Vizitova Ndërmarrjen Publike Banesore dhe takova menaxhmentin për të shprehur shqetësimin tim për pagat e punëtorëve, të cilat janë cënuar si pasojë e një vendimi të paligjshëm të marrë para mandatit tim. Këtë çështje e kam adresuar në gjykatë që nga fillimi i qeverisjes tonë, sepse kam parë se vendimi dhe procesi janë të PALIGJSHËM dhe e rrezikojnë ndërmarrjen, siç edhe ndodhi. Gjatë gjithë këtyre viteve kam insistuar që gjykatat ta mbrojnë pronën publike. Insistoj edhe SOT”, ka shkruar Rama.
Ndërkohë, punëtorët e NPB-së kanë protestuar para objektit të Komunës së Prishtinës, duke kërkuar ekzekutimin e pagave. Mbi 380 punëtorë të ndërmarrjes kanë mbetur pa paga për dy muaj.