Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kërkuar trupa shtesë të NATO-s në Kosovë në mënyrë “që të garantohet siguri dhe paprekshmëri absolute” e Kosovës.

Rama këtë e kërkoi nga Shkupi, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Shkup, me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, presidentin e Kroacisë, kryeministrin e Malit të Zi dhe kryeministrin e Sllovenisë.

Ai ka bërë të ditur se shtimi i trupave të NATO-s është kusht që të mos përsëritet një rast si ai i Banjskës.

“Nga ana tjetër dëshiroj të theksoj se jam i keqardhur për faktin që pavarësisht thirrjeve të përsëritur për të shtuat në mënyrë të ndjeshme jo vëmendje, por edhe trupat të cilat duhet të garantojnë stabilitet dhe paprekshmëri absolute të Kosovës, ka ndodhur një ngjarje tragjike, e cila duhet konsideruar një paralajmërim dhe jo një ngjarje sporadike dhe e cila duhet më çdo kusht të mos përsëritet, dhe për këtë arsye theksova edhe sot në takim domosdoshmërinë e rritjes së numrit të forcave të NATO-s në Kosovë”, ka thënë Rama.

Gjithashtu, Rama ka theksuar se këta trupa janë për të siguruar kufirin Kosovë-Serbi, i cili, sipas tij, është jashtë kontrollit dhe është në shërbim të aktiviteteve ilegale.

Rama ka theksuar se rasti i Banjskës nxori në pah rrezikun e lartë për destabilizim dhe përshkallëzim të konfliktit.

“Dhe domosdoshmërinë për të siguruar kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, i cili faktikisht është jashtë kontrollit dhe i cili është në shërbim të aktiviteteve ilegale të trafikut të armëve, të drogës, të aktiviteteve të cilat pastaj ngatërrohen siç e dimë të gjithë edhe me aktivitetin politik, me sfond ultranacionalisit, që shkakton devijime të rënda siç ishte devijime në Bansjkë, ku humbi jetën një punonjës i policisë së RKS-së dhe ku qartësisht doli në pah rrezikshmëria e lartë për destabilizim dhe përshkallëzim të situatës”, ka shtuar Rama.

Ndër të tjera, Rama u shpreh se duhet të zbatohet sa më shpejt kërkesa e Shqipërisë për bashkëfinancim me NATO-n, për bazën e re detare në Porto Romano.

Sipas kreut të qeverisë shqiptare, NATO-ja do të sigurojë akses të shpejtë në këtë pjesë të Evropës.

“Aplikimi i Shqipërisë për bashkëfinancimin e bazës detare të NATO-s në Porto Romano. Besojmë se çdo gjë që ndodh hap pas hapi, e përforcon vlerën strategjike dhe për vetë NATO-n që do të fitojë një akses të shpejtë në këtë pjesë të Evropës. Shqipëria ka përmbushur me buxhetin e vitit 2024 edhe objektivin e financimit të mbrojtjes me 2%, siç është shtruar nga tryeza e NATO-s për të gjitha vendet anëtare. Ne do të vazhdojmë të jemi shumë të angazhuar për të përforcuar kapacitetet tona, mbetemi në frontin e vendeve të NATO-s, një anëtar i përgjigjshëm dhe i palëkundur në misionet e përbashkëta”, theksoi Rama ndër të tjera gjatë fjalës së tij.