Rama: Marrëveshja e Ohrit, njohje “de facto” e Kosovës nga Serbia

Kreu i ekzekutivit të Shqipërisë, Edi Rama, për marrëveshjen e arritur në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë, është shprehur se është më e mira e deritanishme, ku palët marrin atë që meritojnë, dhe sipas tij, është një njohje “de facto” e Kosovës nga Serbia

Kryeministri shqiptar, Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke folur për planin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe marrëveshjen e arritur në Ohër, ka thënë se është më e mira e deritanishme, ku palët marrin atë që meritojnë, dhe sipas tij, është një njohje “de facto” e Kosovës nga Serbia.

“Mendoj se dokumenti në tryezë është më i miri ku të dyja palët mund të marrin atë që u takon. Të dyja palët janë shumë pranë luftës dhe era e gjakut është ende e fortë deri në atë pikë sa nuk mund të hedhin hapat e fundme. Kjo është rruga e duhur dhe njohje ‘de facto’ e të drejtës së Kosovës për të jetuar dhe vendosur më vete. Është njohje ‘de facto’ e Serbisë, ku me Kosovën duhet të ketë marrëdhënie normale. E vetmja pikë është a ato të zbatohen, por Ballkani është një vend me mjaft gracka. Por, le të shohim”, ka deklaruar Rama.

Po ashtu, ai beson se një Ballkan i bashkuar si në ekonomi edhe në dënimin e agresionit rus në Ukrainë, është mjaft i rëndësishëm për të stabilitetin dhe paqen, pasi në të kundërtën, sipas tij, rajoni i kthehet të shkuarës.

“Është pjesë e një transformimi të tërë që po përjeton Ballkani. Shqiptarët janë në pozitën më të mirë që kanë qenë ndonjëherë. Marrëdhëniet në Ballkan s’kanë qenë ndonjëherë më mirë. Kemi një elefant në dhomë në çdo marrëveshje me serbët, për shkak të Kosovës. Dhe për këtë ne duhet ta mbajmë Serbinë në anën tonë, sepse mund të na kthejë në të shkuarën. Të sigurohemi që bashkimi në Ballkan kundër agresionit rus në Ukrainë të mos shpërbëhet, pasi nëse kjo ndodh, mund të na kthejë shumë shpejt në kohët e shkuara”, është shprehur Rama.

Këto deklarata, Rama i bëri gjatë një bashkëbisedimi në Institutin Mbretëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Londër, ku ndodhet për një vizitë zyrtare.

Kujtojmë se, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kanë rënë dakord për këtë aneks gjatë takimit në Ohër, ndërsa vetë marrëveshjen, të mbështetur nga Bashkimi Evropian, e kanë pranuar në parim gjatë një takimi në Bruksel, më 27 shkurt.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se, pavarësisht se nuk është nënshkruar, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Marrëveshja me 11 nene nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund ta rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika