Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është ftuar në Bruksel nga Komisioni Evropian, për të adresuar sesionin e hapjes së forumit “Global Gateway”, mbi sfidat aktuale të Evropës dhe prioritetet madhore të zhvillimit.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se të punosh për Bashkimin Evropian, duhet t’i kesh parasysh dy gjëra të rëndësishme, punën dhe jo fjalët e shumta.

“Kur më thanë se i ke vetëm pesë minuta, mendova se të punosh me BE-në, duhet gjithmonë t’i kesh parasysh dy gjëra, të punosh fort dhe të flasësh shkurt. Për të parën kemi nisur të punojmë dhe mjaft me sukses kurse për të dytën nuk jemi aty ku duhet. Nuk do të flas aq gjatë sa Ursula të mendojë të mos më thërrasë më”, tha Rama.

Rama tutje tha se Shqipëria edhe pse gjendet në kontinentin e Evropës, ende nuk është pjesë e Bashkimit Evropian, dhe se për shkak të kësaj, qytetarët janë ndier të izoluar dhe si të lënë pas dore.

“Vi nga një vend që quhet Shqipëri, që është pjesë e Ballkanit Perëndimor, që rrethohet me kufijtë e BE-së, por ne nuk jemi BE, jemi vetëm E pa B. Na është dashur të jetojmë në një ndjenjë izolimi, jo në kuptimin e tmerrshëm që shfaqet në kujtesë, por jemi ndier si të jemi qytetarë të dorës së dytë të këtij konintenti”, tha ai.